E Shtunë, 31 Tetor 2026

Referendumi, dorëzohet kërkesa pranë KQZ-së



Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës ka dorëzuar dje zyrtarisht pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për organizimin e referendumit. Përfaqësuesit e këtij komiteti, pasi kanë dorëzuar kërkesën pranë KQZ-së, tashmë janë në pritje të marrjes së formularëve për të nisur procedurat për mbledhjen e 50 mijë firmave të nevojshme për referendumin. Kërkesës së depozituar dje në KQZ i janë bashkangjitur edhe 20 firmat e grupit nismëtar që kërkon referendum, ku midis tyre gjenden edhe emrat e dy ish-Presidentëve të Republikës, Rexhep Meidani e Alfred Moisiu, si dhe shkrimtarit Dritëro Agolli. KQZ-ja do të marrë shumë shpejt në shqyrtim kërkesën e bërë nga Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës dhe sipas ligjit ka 20 ditë afat për t’u shprehur rreth saj. Nisma e LSI-së, e cila më pas është konkretizuar me krijimin e Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës, synon organizimin e një referendumi popullor për t’u thënë “jo” ndryshimeve që iu bënë Kushtetutës gjatë seancës plenare të 21 prillit nga dy forcat e mëdha, PS e PD.

30 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›