E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama: “Do të kërkojmë mocion shkarkimi për Topallin”

Kreu i PS-së: “Berisha të ndërhyjë, ose do të prishim paktin për Drejtësinë”. Zëdhënësja e Topallit: “Përgënjeshtrojmë akuzat e kreut të PS-së”

Shaban Sulçe
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, mund të kthehet në mollën e sherrit midis Berishës dhe Ramës dhe pritet të jetë shkaku kryesor i prishjes së paktit për drejtësi, të ofruar nga Partia Socialiste. Topalli ka përfunduar në bankën e të akuzuarve të socialistëve, të cilët janë shprehur mjaft të irrituar në drejtim të saj. Sipas selisë rozë, kryeparlamentarja jo vetëm që ka penguar emërimin e 5 anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, por ka shkelur rëndë dhe në mënyrë flagrante Kushtetutën. Topalli akuzohet nga Partia Socialiste se jashtë çdo norme ligjore dhe kompetence kushtetuese u ka kërkuar informacion Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme për të dhënat personale të 5 anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, të dekretuar nga Presidenti i Republikës. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje se Topalli ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe se për këtë arsye deputetët socialistë do të kërkojnë mocionin e shkarkimit të saj nga drejtimi i Parlamentit. Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Topallit. Zëdhënësja e kryetares së Parlamentit i përgënjeshtroi të gjitha akuzat e bëra nga kryetari i PS-së.
Rama
Rama akuzoi Topallin se ka shkelur Kushtetutën, duke cenuar të drejtat themelore të 5 anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë.
“Jashtë çdo norme kushtetuese dhe jashtë çdo kornize të shtetit të së drejtës, në shkelje flagrante të funksionit të saj si spikere e Parlamentit, Jozefina Topalli ka cenuar rëndë liritë themelore të 5 shtetasve të Republikës së Shqipërisë. Këta shtetas janë 5 kandidatë të dekretuar nga Presidenti i Republikës si anëtarë të Gjykatës së Lartë. Emrat e tyre Jozefina Topalli ia ka çuar policisë në kuptimin e plotë të fjalës. Kryetarja e Kuvendit ka kërkuar nga Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme, prova të pafajësisë së tyre, duke kapërcyer jo vetëm çdo kufi të ligjit, por edhe të imagjinatës. Pasi i ka mbajtur këta emra në sirtar, duke shkelur rregulloren e Kuvendit, e cila dekreteve të presidentit u jep përparësi në shqyrtim dhe duke vonuar, jashtë çdo kufiri kohor të arsyeshëm, zëvendësimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, e cila praktikisht është bllokuar, zonja Topalli ka marrë kompetencat e kreut të shtetit dhe ka dhunuar personalitetin njerëzor e profesional të 5 njerëzve të ligjit që Kushtetuta i mbron nga veprime të tilla policeske”, - tha Rama.
Paralajmërimi
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, paralajmëroi për prishje të paktit për reformën në Drejtësi në rast se kryeministri Berisha nuk do të marrë masa dhe të ndërhyjë ndaj kësaj shkeljeje të rëndë të Kushtetutës. “Ndërkohë i bëj thirrje kryeministrit Sali Berisha të distancohet nga ky akt i pashembullt deformimi i funksionit të spikeres së Parlamentit dhe të kërkojë nisjen e menjëhershme të procedurave parlamentare për votimin e dekreteve të Presidentit të Republikës. Miratimi, qoftë edhe në heshtje, i kryeministrit të vendit për këtë abuzim të skajshëm me detyrën të kryetares së Kuvendit në dëm të pushtetit gjyqësor, do të ishte shprehja më kuptimplotë e qëllimit për të kapur Gjykatën e Lartë dhe oguri më i keq për vetë reformën në Drejtësi. Sepse s’mund të ketë Pakt Kombëtar për Drejtësinë nga njëra anë dhe shkelje të tilla të Kushtetutës e të ligjit nga ana tjetër. Sali Berisha të zgjedhë e të marrë!” - deklaroi dje kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Reagimi
Zëdhënësja e kryetares së Kuvendit ka përgënjeshtruar akuzat që i janë bërë Topallit nga ana e kreut të selisë rozë, Edi Rama.
Zëdhënësja e kryeparlamentares Topalli, Suela Ruseti, tha se nuk ka pasur asnjë pengesë nga ana e kryetares së Kuvendit për emërimin e 5 anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, dhe aq më tepër ndonjë shkelje të Kushtetutës.
“Nga Presidenti i Republikës i janë drejtuar Kuvendit pesë dekrete për emërim të anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Nga ana e kryetares së Kuvendit janë marrë të gjitha masat për kalimin e tyre në procedurë me të gjithë përgjegjësinë dhe përgjegjshmërinë me të cilat momenti historik ngarkon sot Kuvendin. Ju deklaroj publikisht se nuk ka asnjë dekret të bllokuar, nuk ka asnjë lloj vonimi apo tejkalimi afati. Ka vetëm respektim të Kushtetutës, vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Kuvendit. Kryetarja e Kuvendit vë në dispozicion praktikën për shqyrtim, gjë që është kërkuar edhe nga deputetët. Gjithashtu, gjithçka që ajo ka ndërmarrë deri tani është pjesë e procedurave dhe i shërben plotësimit të kësaj praktike. Çdo formë presioni ndaj Parlamentit dhe parlamentarizmit, nga kushdo që të vijë e të jetë, është totalisht pa efekt”, - tha zëdhënësja e Topallit, Suela Ruseti.

Mocioni i shkarkimit të Topallit, Berisha nuk votoi

Në shkurt të vitit 2006, Parlamenti votoi për mocionin e shkarkimit të kryeparlamentares Jozefina Topalli, të paraqitur nga opozita. Kjo e fundit kishte akuzuar kryeparlamentaren se kishte shkelur Kushtetutën dhe kishte ndryshuar në mënyrë të njëanshme Rregulloren e Kuvendit. Gjatë procesit të votimit, Topalli shpëtoi për pak nga shkarkimi, teksa mori vetëm 70 vota për t’u konfirmuar si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë.
Ky rezultat u komentua në atë kohë si humbje e shumicës absolute të maxhorancës. Votimi pati parregullsi dhe polemika të mëdha midis deputetëve të opozitës dhe atyre të maxhorancës. Mënyra e votimit ishte e fshehtë, dhe kjo i detyroi deputetët e së majtës që të kërkonin ripërsëritje të votimit. Interesant është fakti se në media u botua lajmi se kryeministri Berisha kishte votuar pro shkarkimit të Topallit.

30 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›