E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dalipi: Mazhoranca po kërkon të kontrollojë mediat

Sulmi i Kryeministrit Berisha ndaj medias nuk ka kaluar pa u debatuar në kuvend. Deputeti i PS-së, Alfred Dalipi, e ka ngritur këtë shqetësim dje në sallën e Kuvendit, duke i vlerësuar si të padrejta qëndrimet e Kryeministrit Berisha. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Dalipi ka theksuar se e gjithë kjo luftë nga mazhoranca dhe Kryeministri Berisha ndaj medias bëhet me një qëllim të caktuar për të marrë kontrollin ndaj mediave dhe konkretisht për të penalizuar rebelët dhe kundërshtarët mediatikë. "Kjo frymë synon të penalizojë rebelët dhe kundërshtarët mediatikë dhe të mbajë nën fre të urtët dhe frikacakët, si dhe të përdorë të bindurit dhe të paguarit", është shprehur deputeti i PS-së. Sipas tij, Kryeministri Berisha po përpiqet të ndalojë fjalën e lirë, ndërsa ka theksuar se mediat nuk mund të jenë fajtore se nxjerrin skandalet e kësaj qeverisjeje. Sipas Dalipit, nuk është fajtore media pse ka publikuar skandalet e familjes së Kryeministrit Berisha mbi pasurinë e vajzës së tij dhe vetëm pse pyet sesi janë vënë këto pasuri, në një biznes të vogël. Ai ngre pyetjen nëse është fajtorë media vetëm pse solli në sytë e gjithë shqiptarëve një tragjedi të tmerrshme si ajo e Gërdecit dhe bëri gjithçka për të treguar shkaktarët, të cilët mbrohen nga Kryeministri Berisha. Deputeti socialist ka theksuar më tej se kjo mazhorancë dhe ky Kuvend, do të mbahen mend për kërcënimet e tyre të bëra që në ditën e parë që ngritën dhe po mbajnë gjallë sot në vitin e tretë të kësaj mazhorance, një mekanizëm politik kontrollues.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›