Rama: Të shkarkohet Topalli
Socialistët i rikthehen idesë së mocionit për shkarkimin e Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli. Kreu i opozitës, Edi Rama, konfirmoi dje se po mendohet ndërmarrja e një hapi të tillë politik. Ai tha se jashtë çdo norme kushtetuese dhe jashtë çdo kornize të shtetit të së drejtës, në shkelje flagrante të funksionit të saj si spikere e Kuvendit, Jozefina Topalli ka cenuar rëndë liritë themelore të pesë shtetasve të Republikës së Shqipërisë. "Këta shtetas janë pesë kandidatë të dekretuar nga Presidenti i Republikës si anëtarë të Gjykatës së Lartë. Emrat e tyre Jozefina Topalli ia ka çuar policisë në kuptimin e plotë të fjalës", theksoi Rama. Sipas tij, Kryetarja e Kuvendit ka kërkuar nga Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme, prova të pafajësisë së tyre, duke kapërcyer jo vetëm çdo kufi të ligjit, por edhe të imagjinatës. PS-ja pretendon se Topalli ka mbajtur emrat në sirtar, duke shkelur rregulloren e Kuvendit, e cila dekreteve të Presidentit u jep përparësi në shqyrtim. Në vlerësimin e Ramës, Gjykata e Lartë është bllokuar, zonja Topalli ka marrë kompetencat e kreut të shtetit dhe ka dhunuar personalitetin njerëzor e profesional të pesë njerëzve të ligjit që Kushtetuta i mbron nga veprime të tilla policeske. Rama siguroi se do të vlerësojë me përgjegjshmëri kushtetuese e ligjore peshën e këtij abuzimi skandaloz dhe do t‘ia adresojë jo vetëm opinionit publik, po edhe Kuvendit të Shqipërisë. "Do të përcjellim shqetësimin e madh për kapërcimin e Kushtetutës e të ligjit nga ana e Kryetares së Kuvendit. Pa përjashtuar si hap të mundshëm edhe një mocion për shkarkim të saj", u angazhua Rama. Kreu i opozitës i bëri thirrje Kryeministrit Sali Berisha të distancohet nga ky akt i pashembullt deformimi i funksionit të spikeres së Kuvendit dhe të kërkojë nisjen e menjëhershme të procedurave parlamentare për votimin e dekreteve të Presidentit të Republikës. Miratimi, shtoi ai, qoftë edhe në heshtje, i Kryeministrit të vendit për këtë abuzim të skajshëm me detyrën të Kryetares së Kuvendit në dëm të pushtetit gjyqësor, do të ishte shprehja më kuptimplotë e qëllimit për të kapur Gjykatën e Lartë dhe oguri më i keq për vetë reformën në drejtësi. "Sepse s‘mund të ketë Pakt Kombëtar për Drejtësinë nga njëra anë dhe shkelje të tilla të Kushtetutës e të ligjit nga ana tjetër. Sali Berisha të zgjedhë e të marrë!", konstatoi Rama. Ndërsa nguli këmbë se Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme nuk duhet të kryejnë asnjë veprim në funksion të lajthitjes së Kryetares së Kuvendit. E cila, nënvizoi Rama, nuk ka asnjë kompetencë që t‘u drejtohet këtyre organeve e jo më t‘u ngarkojë detyra policore në kundërshtim flagrant me Kushtetutën, ligjet e Republikës sonë dhe vetë Kartën e të Drejtave e Lirive Themelore të Njeriut. Reagimi i djeshëm i kreut të Partisë Socialiste erdhi pas një zvarritjeje që Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u bëri dekreteve të kreut të shtetit për anëtarë të Gjykatës së Lartë.
Topalli pohon prezencën e dekreteve të Topit
"Nuk po vonojmë, po verifikojmë"
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, përmes zëdhënëses së saj, kundërshtoi akuzat e kryetarit të PS-së, Edi Rama, për bllokim të dekreteve të Presidentit të Republikës për emërimin e pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e Kryetares Topalli, Suela Ruseti, deklaroi se "Presidenti i Republikës i ka drejtuar Kuvendit pesë dekrete për emërim të anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Nga ana e kryetares janë marrë të gjitha masat për kalimin e tyre në procedurë me të gjithë përgjegjësinë dhe përgjegjshmërinë me të cilat momenti historik ngarkon sot Kuvendin". Zëdhënësja Ruseti tha se nuk ka asnjë dekret të bllokuar dhe asnjë lloj vonimi apo tejkalim afati, por vetëm respektim të Kushtetutës, vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rregullores së Kuvendit. "Ripërtëritja e Gjykatës së Lartë është një shans historik për shtetarët e përgjegjshëm të këtij vendi, me qëllim që gjyqësorit t‘i japim shpresën e pastrimit nga e keqja, padrejtësia e korrupsioni. Dhe garancinë për këtë nuk mund ta japë Edi Rama apo shokët e tij, por e japin vetëm kandidatët përmes kurrikulumit të tyre të panjollë", vijoi zëdhënësja Ruseti, duke theksuar se Kryetarja e Kuvendit i ka kryer veprimet paraprake në përputhje të plotë me detyrën. Sipas saj, "çdo formë presioni ndaj Parlamentit dhe parlamentarizmit nga kushdo që të vijë është totalisht pa efekt. Parlamenti do të vazhdojë të punojë për reformat dhe nuk do të pranojë asnjë kërcënim ndaj vazhdimit të tyre, me kushtin për të shkelur ligjin".