Çekia, jep mbështetje maksimale për integrimin e Shqipërisë
>Më datë 21 janar 2009, Ministrja e Integrimit znj. Majlinda Bregu zhvilloi një vizitë pune në Pragë me ftesë të Zëvendëskryeministrit për Çështjet e BE-së z. Aleksandr Vondra. Gjatë vizitës së saj, e cila përfshinte dhe një takim me Zëvendësministrin e Parë të Punëve të Jashtme z. Tomá Pojar, Ministrja Bregu i njohu bashkëbiseduesit me hapat e ndërmarra nga qeveria dhe shteti shqiptar në rrugën për integrimin e vendit në BE si dhe më specifikisht për rolin që presim të luajë Republika Çeke gjatë periudhës së Presidencës së BE në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.
Gjatë kësaj presidence, Çekia angazhohet se do të vazhdojë të trajtojë si prioritet zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor. Përfaqësuesit e lartë të Republikës Çeke dhe njëkohësisht të Këshillit të Bashkimit Evropian deklaruan se mbështesin Shqipërinë në hapat e mëtejshëm te procesit te integrimit evropian. Është shumë e rëndësishme të vazhdojmë bisedimet për marrëdhëniet tona bilaterale, është në interesin tonë të vazhdojmë me procesin e integrimit europian te rajonit përfshirë edhe Shqipërinë. Kemi folur me detaje për këtë proces, dhe i urojmë Shqipërisë shumë fat në rrugën e integrimit europian, ne do të bëjmë të pamundurën për ta mbështetur vendin tuaj, tha zv/ministri i Parë i Punëve të Jashtme Tomas Pojar. Pikat ku u përqendruan më shumë diskutimet kishin të bënin me ecurinë e përmbushjes së detyrimeve të Shqipërisë në kuadër të MSA; përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë komunitar, hapat e mëtejshëm që priten të ndërmarrë qeveria shqiptare me qëllim anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE dhe ecurinë e dialogut për liberalizimin e vizave.