Lutaj: Me Kastriotin, të përsëritim ndeshjen e Durrësit
Trajneri vlonjat ka mbetur i kënaqur nga ndeshja e fundit, pavarësisht humbjes, kështu që kërkon të luhet njësoj si ndaj Teutës
Ndeshjet e kampionatit janë përherë të vështira dhe duhen menduar pikërisht të tilla, pavarësisht kundërshtarit që ke përballë. Kështu pohon trajneri i Flamurtarit, Edmond Lutaj, edhe pse me vesh ka qenë edhe nga Bilishti, ku një pjesë e ekipit luante për Kupën e Shqipërisë. Por duket se trajneri vlonjat kërkon për momentin që vëmendjen maksimale ta drejtojë pikërisht te kampionati.
Fatmirësisht, për të dhe për të gjithë tifozët vlonjatë, takimi do të luhet në Vlorë dhe jo në në fushën e Gjirokastrës, ashtu si ndaj Kamzës. Deri dje të gjithë në kampin e Flamurtarit ishin përgatitur për të udhëtuar drejt qytetit të gurtë, por me vendim të Apelit, pjesa tjetër e dënimit të fushës së Vlorës është falur. Për kreun e pankinës vlonjate, bëhet fjalë për një sfidë që duhet kaluar me shumë sukses, ku llogaritet vetëm fitorja.
Kastrioti Të flasësh në këto momente për përballje të lehta, nuk më duket e drejtë, pasi gjithmonë kampionati rezervon përballje të rëndësishme. E tillë është edhe kjo ndaj Kastriotit, të cilën e mendoj shumë të vështirë, por me qëllimin për të marrë maksimumin nga kjo ndeshje. Çfarë kërkoj unë nga ekipi? E thjeshtë, të arrijmë të jemi në nivelin e lojës së shfaqur në Durrës ndaj Teutës.
Do të isha shumë i kënaqur. Nëse luajmë ashtu si një javë më parë, pa dyshim që fitorja vjen në anën tonë. Ky është mendimi im të paktën dhe këtë dua dhe kërkoj nga futbollistët. Pa dyshim, na duhet që në takime të tilla të luajmë të përqendruar në maksimum, pasi edhe kundërshtari ka një ekip shumë cilësor dhe mendoj se humbja ndaj Tiranës nuk ka ndikuar te këta të fundit.
Kështu gjatë këtyre ditëve jemi përpjekur të shohim disa nga ato mangësi që kemi vërejtur dhe natyrisht ti riparojmë ato në ndeshjet e radhës, duke nisur pa dyshim nga ai i radhës përballë Kastriotit, – thekson trajneri vlonjat.
Stadiumi Ne jemi ekipi pritës dhe më vjen mirë që më së fundi do të luajmë në Vlorë. Është shumë domethënëse për Flamurtarin, pasi Vlora ka shumë tifozë dhe përkrahja është e domosdoshme, edhe pse nganjëherë presioni të bën që mos dalësh në lojën tënde. Po jo them që Flamurtari luan njësoj, si jashtë, edhe brenda, madje në Durrës ne bëmë një lojë shumë më të mirë se në fushën asnjanëse, pavarësisht rezultateve.
Ekipi ynë nuk luan për mbijetesë, prandaj ne nuk do ti varim shpresat vetëm nga ndeshjet brenda fushës sonë. Do të marrim pikët tona kudo të mundim, kjo as që diskutohet. Pozitive është edhe se ekipi nuk do të udhëtojë, por pas ardhjes nga Bilishti, do të grumbullohet në Vlorë për të pritur Kastriotin, – përfundon trajneri i Flamurtarit, Edmond Lutaj.
Hysa-Brkiç, sulmi vlonjat ndaj krutanëve
Hysa dhe Brkiç do të jenë pjesë e sulmit të ekipit vlonjat në ndeshjen e radhës përballë ekipit krutan. Pikërisht është kjo dyshja e sulmit që mendon trajneri i Flamurtarit për ndeshjen e ditës së diel dhe gjatë përgatitjeve të zhvilluara dy sulmuesit janë menduar si lojtarët që do të udhëheqin Flamurtarin drejt shënimit të golit në këtë takim. Draganov dhe Shehaj luajtën edhe për kupë së bashku, ndërsa dy sulmuesit në fjalë nuk udhëtuan fare drejt Bilishtit, me qëllimin e vetëm që trajneri Lutaj të vijojë përgatitjet për ndeshjen e ditës së diel. Dje Shehaj ka shënuar dy gola dhe sikur është çliruar. Me aktivizimin e serbit në krah të sulmuesit tjetër Hysa, Lutaj synon të ketë një sulm më produktiv në ndeshjen e radhës dhe natyrisht lojtarët që luajnë në repartin e avancuar të çlirohen dhe të shkojnë te goli. Duket se edhe vetë sulmuesit vlonjatë kërkojnë diçka të tillë dhe natyrisht mendohet ndeshja përballë Kastriotit si momenti më i mirë që sulmuesit e ekipit vlonjat përfundimisht të nxjerrin Flamurtarin te goli dhe te fitorja.
Gjysma e Flamurtarit stërvitet në Vlorë
Stërvitje nën reshjet e shiut. Pjesa e futbollistëve që nuk udhëtuan drejt Bilishtit për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë, kanë vijuar përgatitjet nën drejtimin e trajnerit Lutaj në Vlorë, ndërsa gjatë paradites gjithçka është përqendruar edhe te fusha e re pranë Pyllit të Sodës. Pavarësisht motit jo fort të qëndrueshëm, futbollistët vlonjatë dhe trajneri Lutaj nuk i kanë ndërprerë përgatitjet për sfidën ndaj Kastriotit, ndeshje të cilën tashmë në Vlorë e quajnë mjaft të rëndësishme dhe natyrisht me një objektiv të vetëm, fitoren.
4 Ndeshje ishte dënuar fusha e Flamurtarit dhe 1 ndeshje ekipi vlonjat u detyrua të luante në Gjirokastër, ndërsa tre të tjerat janë falur nga Apeli dhe do të luhet në Vlorë
2 Gola ka shënuar dje sulmi vlonjat, edhe pse një ndeshje kupe. Të dy golat i ka shënuar Ardit Shehaj, i cili në ndeshjen e radhës pritet të jetë i gatshëm në stol
