Dallgët çuan në Kroaci tre vlonjanët, vetëm njëri deklarohet i gjallë
Pas pesë ditë kërkimesh të policive të katër shteteve, dje në mesditë është zbuluar historia misterioze e tre peshkatarëve privatë, ku njërin e kanë hedhur dallgët të gjallë në breg, tjetri është gjetur i vdekur, ndërsa për të tretin ende nuk ka asnjë të dhënë. Burimet zyrtare të Policisë Kufitare të Kroacisë bëjnë të ditur se rreth orës 11:55 është gjetur në bregdet, në vendin e quajtur Mljet, rreth 30 kilometra larg zonës turistike të Dubrovnikut, në gjendje të rëndë shëndetësore, shtetasi Romea Puliso. Rreth dy orë më vonë, në të njëjtin vend, u konstatua edhe kufoma e njërit prej vëllezërve Golaj. Këto informacione janë konfirmuar zyrtarisht edhe nga burimet zyrtare të kapitenerisë së Portit të Durrësit. Kapiteni i Rangut të Parë, Kristaq Gerveni, ka raportuar gjatë ditës së djeshme për të gjitha informacionet që vinin nga Kroacia. Ndërkohë nuk ka asnjë të dhënë për peshkatarin e tretë. I mbijetuari Puliso ka pohuar dje pasdite se mjeti lundrues është përmbysur nga dallgët e mëdha dhe më pas ka notuar derisa ka përfunduar në breg, por që nuk ka asnjë informacion për fatin e dy kolegëve të tjerë.
Operacionet
Kur kishin humbur të gjitha shpresat, dita e djeshme ka shënuar zbardhjen e gjithë historisë së tre peshkatarëve vlonjatë, të zhdukur që prej ditës së diel. Ekipet kërkimore malazezo-kroate, teksa po kontrollonin bregdetin në zonën e Dubrovnikut, kanë parë rastësisht trupin e 43-vjeçarit Puliso, i cili, falë fuqisë dhe fatit, ka arritur të triumfojë ndaj dallgëve të Adriatikut. Pas verifikimeve të para autoritetet kroate identifikuan të mbijetuarin dhe njoftuan menjëherë palën shqiptare në kapitenerinë e Durrësit. Gjetja e tij shërbeu si pikë referimi për kërkimin e dy peshkatarëve të tjerë. Rreth orës 14:00 u bë e mundur që të gjendet edhe trupi i njërit prej vëllezërve Golaj në zonën e Mljetit, në bregdetin e Dubrovnikut. Ndërkohë vazhdojnë kërkimet për personin e tretë të humbur. Policia ka thirrur familjarët dhe po bëhet identifikimi i trupit të pajetë, për të mësuar se kush është viktima, Niko, apo Sotir Golaj.
Dëshmia
Vetëm rreth orës 16:30 i mbijetuari i tragjedisë, Romeo Puliso, ka arritur të përmendet dhe të flasë. Sipas 43-vjeçarit, ditën e diel në mëngjes, të tre peshkatarët kanë dalë në det për të gjuajtur. Por, pasdite, për shkak të prishjes së motit, gomonia ka dalë jashtë kontrollit, pasi është mbaruar karburanti dhe nuk ka punuar motori i gomones. Romeo Puliso ka bërë të ditur se gomonia e zhdukur është përmbytur nga dallgët. Sipas deklaratës së tij, konfirmohet prania e tre personave në gomone, por nuk mban mend se në çfarë drejtimi kanë shkuar dy kolegët e tij. Pulizi ka marrë ndihmën e parë në një spital në zonën e Dubrovnikut dhe sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që mbrëmë vonë është rikthyer drejt vendlindjes.
Zhdukja
Që prej ditës së mërkurë, në operacionet kërkimore për gjetjen e dy peshkatarëve vlonjatë kanë marrë pjesë strukturat e Policisë së Malit të Zi, Italisë dhe Kroacisë, të cilat i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës për ndihmë të autoriteteve tona. Përveç mjeteve lundruese dhe tokësore, në gjetjen e tyre mori pjesë edhe një helikopter, i specializuar për operacione të tilla, i cili është dërguar posaçërisht nga Bari i Italisë. Gomonia me 3 peshkatarët ka dalë në det që të dielën paradite. Ditën e martë bashkëshortja e njërit prej peshkatarëve amatorë ka sinjalizuar në polici moskthimin e bashkëshortit të saj. Romeo Pulizio, Niko Golaj e Sotir Golaj janë të tre peshkatarët amatorë nga qyteti i Vlorës, që ndodhen në gomonen e humbur. Njëri prej tyre ka kontaktuar në telefon vazhdimisht me të afërmit e tij që ndodheshin në kapitenerinë e Vlorës për t’u dhënë informacion.
23 Janar 2009