E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali me pensionet e minatorëve, nis gjykimi për 60 dosje



KUKËS - Të paktën 60 dosje, për të cilat ka përfunduar hetimi nga Prokuroria e rrethit, po gjykohen në Gjykatën e Kukësit, nga 118 dosje të ish-minatorëve, të dërguar për ndjekje penale për falsifikim të dokumenteve për pensionet e parakohshme. "Deri tani janë 60 dosje të përfunduara nga prokuroria, për të cilat kanë nisur seancat gjyqësore, pasi çështja ka fluks të madh, sepse edhe numri i personave që kanë falsifikuar dokumentet për pension të parakohshëm, është i madh", - tha kancelari i Gjykatës së rrethit, Shikim Korbi. Për të njëjtën çështje po ndiqen penalisht edhe 13 ish-punonjës të Sigurimeve Shoqërore, me akuzën e falsifikimit të dokumenteve, ndërsa burime zyrtare të Prokurorisë së Rrethit pohojnë se "hetimi për këtë çështje është në përfundim".
Procesi i hetimit për abuzimet e kryera për përfitim të pensionit të parakohshëm ka nisur një vit më parë nga Drejtoria rajonale e Sigurimeve Shoqërore. Ndërsa 13 ish-punonjës të saj janë në ndjekje penale për shpërdorim detyre, dosjet për 118 ish-minatorë janë çuar në dyert e Drejtësisë, për shkak të dokumentacionit të falsifikuar. Një vit më parë, pas një kontrolli të ushtruar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, 1300 ish-minatorëve të Qarkut të Kukësit u është bllokuar dhënia e pensionit, prej të cilëve 207 janë në rrethin e Kukësit e të Hasit dhe 93 në rrethin e Tropojës. "Prej tyre, 118 ish-minatorë për falsifikim të dokumentacionit janë çuar për ndjekje penale. Procesi ende vazhdon, ndërsa jemi të vendosur t'i shkojmë deri në fund kësaj çështjeje", - thotë drejtori i Drejtorisë rajonale të Sigurimeve Shoqërore, Mirdash Hoxha. Në qarkun e Kukësit, deri në fillim të viteve ‘90 ishin në punë disa miniera, si e Kalimashit dhe e Gjegjanit në rrethin e Kukësit, e Golajt, Vlahnës e Perollajt në rrethin e Hasit, e Kam-Tropojës dhe Ragamit në rrethin e Tropojës etj., ku ishin të punësuar rreth 4000 punëtorë, të cilët tashmë kanë dalë në pension të pjesshëm ose të plotë.

Grabitet kisha e Shën Thanasit në Elbasan

ELBASAN - Një sasi e konsiderueshme lekësh është grabitur nga kisha ortodokse e “Shën Thanasit” në Elbasan. Persona ende të paidentifikuar nga policia grabitën në orët e vona të mbrëmjes së mërkurë kishën në lagjen "Haxhias" të qytetit të Elbasanit. Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur se "autorët pasi kanë hapur derën kryesore me sende të forta kanë grabitur arkën prej druri të kishës, ku kanë marrë 74 000 lekë".
Sipas policisë, grupi hetimor ka gjetur në vendin e ngjarjes disa gjurmë të lëna nga autorët, ndërkohë që policia po punon për kapjen e tyre. Kisha e Shën Thanasit është kishë ortodokse, e ngritur në skajin verior të qytetit, në vitin 1846, fillimisht me përmasa të vogla prej druri. Në vitin 1942 realizohet ndërtimi i një kishe të re mbi themelet e saj, duke zëvendësuar të vjetrën, me karakteristikat ndërtimore e arkitekturore të kishave të tjera të qytetit.

23 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›