E Diel, 1 Nëntor 2026

Petrit Çakrri i jep vetes lirinë që ia mohuan gjykatat



Laureta Rryçi

Tiranë - Petrit Çakrri, personazh jo pak i njohur për opinionin publik, nuk është kthyer më në Burgun e Shënkollit duke vendosur t’ia kthejë vetvetes lirinë e mohuar nga drejtësia. Ndërsa kishte vite që i kërkonte gjykatës lirimin me kusht, i dënuari, që ka qenë dëshmitar edhe në procesin për vrasjen e Azem Hajdarit, asnjëherë nuk mori përfitimet që jepeshin edhe me ligj. Çakrri ka shfrytëzuar lejen e dhënë nga autoritetet e Burgut të Shënkollit për t’ia mbathur një herë e mirë nga qelia. Menjëherë është dhënë alarmi në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, e cila më pas dha informacion për arratisjen e njërit prej të dënuarve. Po në të njëjtën kohë kanë nisur dhe operacionet nga policia për të kërkuar jo vetëm në banesën e të dënuarit, por edhe te të gjitha vendet e tjera ku dyshohet se mund të ndodhet i dënuari. I dënuari ka konfirmuar në një media se pas gjithë këtyre orëve ai ka mundur të kalojë kufirin.
Arratisja
Ndërsa ora shënonte 15:00, i dënuari i Burgut të Shënkollit, Petrit Çakrri, nuk është paraqitur ashtu siç kishte premtuar kur i është dhënë leja. Çakrri, i cili mbahet mend si dëshmitar i vrasjes së Azem Hajdarit, theu lejen e dhënë nga Drejtoria e Burgjeve duke pretenduar plotësimin e dënimit. Ndërsa ka kaluar kufirin, ai është shprehur publikisht në media: “Vendosa t’i jap liri vetes, pasi po më mbanin padrejtësisht në burg”. Leja përfundonte dje pasdite, gjë që u konfirmua edhe nga drejtori i Burgjeve, Gazmend Dibra. 38-vjeçari Çakrri ka mundur të largohet nga ambientet e burgut në bazë të një lejeje që kishte marrë, por nuk u kthye më. Dibra ka thënë se Çakrri kishte edhe një vit e dy muaj burg për të kryer. Petrit Çakrri ka pohuar se i kërkonte ndjesë drejtorit të Burgut të Shënkollit dhe ka theksuar se mbahet padrejtësisht në burg nga gjykata. Ndër të tjera, ai ka bërë të ditur se ndodhet në Malin e Zi dhe po udhëton drejt Kroacisë. Ndërkohë, policia ka nisur kërkimet në banesën e tij si dhe në zonën ku mendohet të ndodhet aktualisht. Dëshmitari i vrasjes së bujshme të deputetit Hajdari i ka bërë apel drejtësisë përmes një kërkese që të mos mbahet padrejtësisht në burg, pasi sipas tij ka shlyer çdo detyrim ndaj Drejtësisë shqiptare për veprat penale të kryera.
Reagimi
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar menjëherë pas arratisjes së Petrit Çakrrit nga Burgu i Shënkollit. Sipas burimeve nga Drejtoria e Burgjeve, Çakrrit i është dhënë një leje në përputhje me ligjin, por ai e ka shkelur atë duke mos u kthyer në qeli. “I dënuari Çakrri, përveç rastit konkret, ka përfituar edhe herë të tjera leje dhe është kthyer brenda afatit të caktuar. Për vitin 2009, Çakrrit iu dha leje në datën 15.01.2009, ora 13:00 deri në datën 22.01.2009 në orën 15:00”, - thuhej në njoftimin për shtyp të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Ndërkohë janë hedhur poshtë të gjitha pretendimet e të arratisurit për mbajtjen e tij në burg edhe pasi kishte mbaruar kryerjen e dënimit. Gjatë një deklarate për mediat, Drejtoria e Burgjeve konfirmon se Çakrri ishte i dënuar për dy vepra penale, përkatësisht me 6 vjet burg për vjedhje dhe 6 vjet të tjera për mashtrim. Bëhet e ditur se i arratisuri rrezikon edhe pesë vjet të tjera burgim për shkak se ka shkelur ligjin duke u arratisur, ndërkohë që kishte edhe një vit e katër muaj burg për të bërë. Sakaq mësohet se kanë nisur hetimet për të zbardhur procedurat që janë ndjekur për t’i dhënë lejen të dënuarit.

Gjykata dënon me 23 vjet burg Fotaq Zaharinë

Tiranë – Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi dje pasdite me 23 vjet burgim të pandehurin Fotaq Zaharia, të akuzuar për tentativë vrasjeje të oficerit të policisë së Komisariatit të Vlorës, Gentian Musabelliu. Këtë vepër penale thuhet se ai e kreu në bashkëpunim me Armando Begën, shokun me të cilin ishte arratisur nga qelitë e paraburgimit të Vlorës në vitin 2000. Që nga ajo kohë, i shumëkërkuari Fotaq Zaharia ka jetuar duke u fshehur nëpër kodrat e qytetit dhe duke kryer grabitje të ndryshme. Madje, edhe plagosja e shefit të krimeve erdhi gjatë një tentative për të grabitur njerëz, kur policia ishte sinjalizuar dhe kishte ndërhyrë por pa sukses. Prokurori kërkoi dy seanca më parë dënimin e tij me 25 vjet burgim, por gjykata çmoi dje se për të njohurin si i forti i Gjirokastrës duheshin dhënë dy vjet më pak qëndrim në burg.

23 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›