E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milo: “Po vonohet ngritja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”



Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, ka shprehur shqetësimin dhe pakënaqësinë ndaj qeverisë aktuale për ecurinë e dobët në procesin e përgatitjes së zgjedhjeve të 28 qershorit. Milo i quajti shumë të dëmshme vonesat në ringritjen dhe rifunksionimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si dhe vonesat në procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit.
“Kemi mjaft arsye për të qenë të pakënaqur nga mënyra se si qeveria po e administron procesin e përgatitjes së zgjedhjeve të 28 qershorit. Deri në datën 30 janar përfundon afati i konstituimit të Komisionit të ri Qendror të Zgjedhjeve. Tërheqim vëmendjen se ka vetëm pak ditë për të ndërtuar këtë institucion shumë të rëndësishëm, të cilit do t’i duhet të marrë vendime mjaft të rëndësishme në të ardhmen. Ka shumë detyra që e bëjnë urgjente ngritjen e Komisionit të ri Qendror të Zgjedhjeve. Problemi i dytë që na shqetëson dhe që nuk është vetëm shqetësimi ynë, por edhe i mjaft partive të tjera politike të opozitës, është çështja e administrimit të shpërndarjes së kartave të identititet qytetarëve shqiptarë. Ne mbështesim propozimin e bërë nga Partia Socialiste për ngritjen sa më shpejt të komisionit të monitorimit të këtij procesi të rëndësishëm, me qëllim që ai të mos zhvendoset dhe të mos përfundojë, siç mund të kenë përfunduar herë të tjera, iniciativa të kësaj natyre si nga Partia Demokratike, edhe nga mazhoranca”, - tha Milo.

Dalipi: “Qeveria dështoi në premtimet e saj për infrastrukturën”

Deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Dalipi, deklaroi se qeveria dështoi të mbante premtimin e saj për investimet në infrastrukturë. Dalipi tha se qeveria “Berisha” u premtoi shqiptarëve ndërtimin e 6 mijë km rrugë të asfaltuara, por gjatë këtyre tre viteve qeverisje nuk arriti të ndërtonte më shumë se 400 km rrugë. “5 muaj nga mandati qeverisës, sot është e nevojshme, është e domosdoshme, është e qenësishme, për programin e një force politike të votuar në Kuvendin e Shqipërisë, të kuptohet dhe të theksohet se shqiptarëve 3 vjet më parë në vitin 2005 iu premtuan 6 mijë km rrugë të asfaltuara. Në tre vjet, Ministria e Transporteve ka tenderuar, hedhur në rrugë, për rrugët plot 1 miliard e 250 milionë dollarë dhe shqiptarët me kaq para kanë marrë më pak se 400 km rrugë. Premtimi për 6 mijë km rrugë është bërë, qytetarët shqiptarë kanë paguar taksat, qeveria ka realizuar të ardhurat, plot 1 miliardë e 250 milionë janë bërë tendera dhe u janë paguar kontraktuesve”, - tha Dalipi, i cili theksoi se si rezultat i dështimit të qeverisjes aktuale, Shqipëria ka mbetur vendi më i prapambetur në Europë përsa i përket ndërtimit të rrugëve.

23 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›