E Diel, 1 Nëntor 2026

Doganat, Bajraktari “vulos” fitoren edhe në Kushtetuese



Tiranë - Arben Bajraktari ka “certifikuar” në mënyrë përfundimtare fitoren e tij në betejën e stërzgjatur gjyqësore me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Ish-drejtori Juridik i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave u shkarkua në vitin 2006 nga detyra, ndërsa për 3 vite me radhë ai e pretendoi si arbitrar dhe të padrejtë këtë vendim të DPD-së, duke e zhvilluar betejën e tij gjyqësore. “Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 49/2 e 51 të Ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë’, njëzëri vendosi konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor si rrjedhojë e moszbatimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë nr. 18, datë 21.03.2006 të Gjykatës së Apelit Tiranë”, -shkruhet në konkluzionin përfundimtar të vendimit të marrë 10 ditë më parë, duke i dhënë në mënyrë përfundimtare Bajraktarit statusin e fituesit në këtë betejë. Bajraktari e ka fituar në Gjykatën e Apelit çështjen, por ky vendim nuk u ekzekutua, çka e detyroi atë të denonconte këtë fakt në Kushtetuese. “Gjykata vlerëson se në çështjen në shqyrtim, Zyra e Përmbarimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave i kishin të gjitha mundësitë që gjatë gjithë periudhës nga dita e marrjes formë të prerë të vendimit e në vazhdim, të ekzekutonin vendimin e formës së prerë. Si përfundim, në vijim të arsyetimit të mësipërm, në çështjen objekt shqyrtimi, Gjykata Kushtetuese konstaton se mosekzekutimi i vendimit të formës së prerë ka sjellë cenimin e së drejtës për një proces të rregullt ligjor të kërkuesit të parashikuar nga Neni 42 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe Nenit 6/1 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut”, - shkruhet në vendimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese.

23 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›