KLD-ja përcakton rregulla të reja për veshjet e gjyqtarëve dhe sekretareve
Laureta Rryçi
Tiranë - Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka përcaktuar rregulla të reja për mënyrën e zhvillimit të seancave gjyqësore si dhe për veshjen apo sjelljen e gjyqtarëve. Sipas njoftimit zyrtar nga ky institucion mësohet se vendimi është marrë në një nga mbledhjet e fundit që ka zhvilluar KLD-ja. Kryesish kjo rregullore është hartuar për solemnitetin e gjykimit të dosjeve gjyqësore. Sipas këtij vendimi, të gjitha proceset tani e tutje duhet të zhvillohen në salla gjykimi duke ua hequr të drejtën gjyqtarëve që t’i vazhdojnë të zhvillojë seancat gjyqësore në zyrat e tyre. Ndërkaq, janë përcaktuar edhe elementet që duhet të ketë një sallë gjyqi në të gjitha gjykatat e vendit, pavarësisht shkallës që përfaqëson ajo. Rregulla të forta janë vënë dhe përsa u përket veshjeve të gjyqtarëve, sekretareve, palëve të tjera në proces, si dhe për publikun që do të jetë i pranishëm në seanca.
Vendi
Sipas rregullores së re, të gjitha proceset gjyqësore, për sa është e mundur, duhet të zhvillohen në salla gjykimi të përshtatshme për natyrën e çështjes konkrete. Çdo sallë gjykimi, ndër të tjera, duhet të jetë e pajisur me këto elemente tregues të solemnitetit gjyqësor: stemën e Republikës së Shqipërisë, e pozicionuar në pjesën e sipërme të murit që gjendet pas podiumit ku qëndron gjykata; flamurin kombëtar, i pozicionuar në anën e djathtë të sallës, në krah të podiumit ku qëndron gjykatësi; një barrierë prej druri ose materiali tjetër, që shërben si ndarje mes sipërfaqes së sallës ku qëndron publiku dhe pjesës së saj ku qëndrojnë subjektet pjesëmarrëse në gjykim. Çdo sallë gjykimi duhet të pajiset me një vend të posaçëm për qëndrimin e dëshmitarit, ekspertit dhe përkthyesit.
Veshja
Tani e tutje, gjyqtari, gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore, duhet të mbajë një veshje e posaçme sipas një modeli uniform për gjyqtarët e çdo niveli gjykimi. Toga e gjyqtarit është veshje me ngjyrë të zezë dhe me një xhufkë në njërën anë të shpatullës me ngjyrë të kuqe për gjyqtarët e rretheve gjyqësore, dhe dy të tilla për gjyqtarët e gjykatave të apeleve. Veshja e përditshme e gjyqtarit/gjyqtares në ambientet e ushtrimit të detyrës duhet të jetë serioze dhe e përshtatshme për pozicionin e tij/saj zyrtar.
Sekretarja gjyqësore, gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore, mund të mbajë veshje e posaçme të ngjashme me atë të gjyqtarit, me ngjyrë gri të errët. Sekretarja gjyqësore, duhet të demonstrojë seriozitet në veshje në ambientet e punës së kryer jashtë sallave apo kohës së zhvillimit të proceseve. Avokati dhe prokurori duhet të marrin pjesë në proces të veshur me togën e posaçme, sipas modelit të përcaktuar përkatësisht, nga Dhoma Kombëtarë e Avokatisë dhe Prokuroria e Përgjithshme. Palët e tjera pjesëmarrëse në proces, apo personat e pranishëm gjatë gjykimit, duhet të mbajnë veshje së natyrës serioze dhe që vlerësohen të përshtatshme për ambientet e gjykatës. Deri më tani nuk kanë qenë këto kufizime. Sekretaret gjyqësore visheshin edhe me funde të shkurtra, ndërsa kishte edhe gjyqtarë që vinin në punë me xhinse.
Box
Solemniteti gjatë zhvillimit të gjykimit
Proceset gjyqësore duhet të fillojnë në respektim të orarit të gjykimit të komunikuar dhe afishuar në gjykatë, me përjashtim kur ka një arsye të justifikuar. Sekretarja gjyqësore do të thërrasë në orar subjektet procedurale për fillimin e gjykimit dhe i orienton për vendin e zhvillimit të tij. Në momentin e hyrjes në sallë të trupit gjykues, të pranishmit do të ngrihen në këmbë, nën njoftimin e sekretares gjyqësore. Gjatë gjykimit, palët pjesëmarrëse duhet të mbajnë qëndrim korrekt dhe sjellje që shpreh respekt për trupin gjykues, duke evituar çdo lloj veprimi të papërshtatshëm në sjellje dhe në të shprehurit e tyre, si në komunikim me trupin gjykues, me subjektet e tjera në proces apo të pranishmit në sallë. Komunikimi ndaj trupit gjykues nga palët dhe të pranishmit e tjerë në proces, duhet të behet me ton të përshtatshëm, duke iu drejtuar me formën e mirësjelljes “Ju” ose me shprehjen “I nderuar”. Palët pjesëmarrëse në proces duhet të flasin në këmbë përpara gjykatës, po kështu edhe ekspertët apo dëshmitarët e thirrur gjatë procedurës së betimit, me përjashtim të rasteve kur gjendja shëndetësore nuk ua lejon një gjë të tillë.
Prania e nëpunësit gjyqësor
Detyrat e reja të nëpunësit gjyqësor:
1. Të njoftojë praninë e gjykatës
2. Të ndihmojë në rregullimin e të pranishmeve
3. Të ndihmojë në korrektimin e sjelljeve të përshtatshme të personave të pranishëm para gjykatës
4. Të zbatojë urdhrat e gjykatës për lëvizjen e njerëzve në sallë
5. Çdo veprim tjetër që i shërben mbarëvajtjes së normalitetit të procesit, në zbatim të urdhrave të gjykatës.
23 Janar 2009