E Diel, 1 Nëntor 2026

Dallgët e forta vonojnë tragetet me emigrantë

 DURRES - Dallgët e forta në Adriatik vonojnë me 4-5 orë kthimin për pushime të emigrantëve në Shqipëri. Burime nga kapitaneria e Durrësit, saktësuan për gazetën se trageti i Ankonës, i llogaritur të mbërrinte në port rreth mesditës, ka arritur të ankorohet vetëm në orët e darkës. Afro 450 pasagjerë të linjës së Ankonës, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe gjetkë kanë prekur portin e Durrësit pas një vonese disa orëshe në det të hapur. Ndonëse tragetet e linjave të Durrësit me portet kryesore të Apenineve janë kryesisht prodhime të reja, forca e detit deri në 6 ballë në të dyja brigjet e Apenineve ka kushtëzuar mbërritjen e pasagjerëve me vonesa të theksuara. Mësohet se në kushte të tilla moti, shpejtësia e anijes ulet ndjeshëm dhe për më tepër pasagjerët përballen me një lundrim të fortë. Vonesa janë shkaktuar edhe në linjat e Triestes dhe e Barit, ku afro 1500 pasagjerë të tjerë të mbërritur me tre tragete janë përballur me një det tejet të trazuar në lundrim. Për fat të keq kjo situatë e rëndë meteorologjike përkon me kthimin e mijëra emigrantëve dhe të studentëve shqiptarë në atdhe për festat e fundit të vitit, në një kohë kur fluksi llogaritet në 3500-4000 udhëtarë në ditë. E njëjta situatë e rëndë ishte dje dhe në Portin e Vlorës. Tragetet Red Star dhe Veronika Lines janë ankoruar me disa orë vonesë për shkak të detit të trazuar. Shefi i Kapitanerisë së portit të Vlorës, Anastas Goga, u shpreh se problemi nuk është te vonesa, por te siguria e pasagjerëve dhe automjeteve që udhëtojnë në këtë mot që pritet të vazhdojë i tillë dhe ditën e sotme. Gjithashtu për shkak të erës së fuqishme në qytet janë shkaktuar disa dëme në shkulje dhe thyerje pemësh, xhamash të godinave si dhe shkulje të disa tabelave reklamash. Probleme ka pasur dhe në rrjetin elektrik. Pasojat e motit të keq janë ndjerë në rrugën nacionale Kukës-Fushë Arrëz. Shkrirja e borës së rënë ditët e fundit ka provokuar rrëshqitjen e gurëve dhe dherave, duke bllokuar qarkullimin normal të dherave. Ndonëse rruga është hapur nga makineritë e mirëmbajtjes së saj, rreziku është i pranishëm dhe në ditët në vazhdim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›