E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga adoleshentëve, vodhën konviktin e "Gjuhëve të huaja"

 TIRANE - Tre adoleshentë kanë përfunduar në prangat e oficerëve të Komisariatit Nr.1, pasi dyshohet se kanë vjedhur në bashkëpunim me njëri-tjetrin magazinën e kompjuterave të konviktit të gjimnazit të "Gjuhëve të huaja" në Tiranë. Sipas një njoftimi për shtyp, nga policia e kryeqytetit mësohet se janë arrestuar 16-vjeçari, A.K. nga fshati Shëngjergj, 17-vjeçari, A.Q. nga Fushë-Kruja dhe 16-vjeçati R.ç. nga Kavaja. Policia njoftoi se arrestimi i tyre u bë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se, të martën, rreth orës 18:00, në "Rrugën e Elbasanit" në Tiranë në ambientet e konviktit të shkollës së mesme të gjuhëve të huaja "Asim Vokshi", kanë vjedhur disa pajisje kompjuteri, në magazinën e konviktit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një monitor, një njësi qendrore, një skaner dhe një bateri kompjuteri. U kryen veprimet procedurale dhe materialet në ngarkim të tre adoleshentëve i kaluan prokurorisë me akuzën e "vjedhjes" në bashkëpunim. Ndërsa policia shpjegoi se vazhdojnë hetimet për të zbuluar bashkëpunëtorët e tyre, pasi dyshohet se ata mund të jenë ndihmuar nga një person i brendshëm i konviktit. Kjo për shkak se asnjëri nga autorët nuk ishte nga Tirana, por mund të ketë pasur njohje me ndonjë nxënës të shkollës së gjuhëve të huaja, që jetonte në konviktin përballë shkollës, i cili mund t'i ketë ndihmuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›