Hajdari merr për dore Tiranën
Tirana triumfoi 1-0 kundër Kastriotit në Krujë duke i dërguar vetes kartolinën më të mirë me rastin e Krishtlindjeve dhe mbylljes së vitit futbollistik 2009. Kampionët në fuqi regjistruan fitoren e katërt në transfertë, falë një goli të realizuar nga zëvendësuesi i Arbër Abilaij, Blerti Hajdari, ky i fundit shënoi me kokë në minutën e 67-të falë një asisti të kapitenit Devi Muka. Goli i dytë në dy ndeshjet e fundit të talentit të ri të 24-herë kampioneve, pas atij në fitoren kundër Apolonisë (4-1, gol dhe asist), por dhe goli i 30-të jubilar i Tiranës në portën e Kastriotit në 17 ndeshje historike.
Në fazën e parë, dy skuadrat u ndanë në një barazim 1-1 në “Qemal Stafa”, që provokoi edhe dorëheqjen e ish-trajnerit të Tiranës, kroatit Ilija Lonçareviç. Tirana u ngjit përkohësisht në vendin e dytë, tashmë në kuotën e 29 pikëve, dy më shumë se Besa (26), por kavajasit kanë dy ndeshje më pak (luan të enjten kundër Gramozit, dhe kanë të prapambetur takimin me Skënderbeun, java 16).
Në javën e 18-të (30 janar 2009), Tirana do të përballet në një sfidë direkt me Dinamon e vendit të parë, kur në takimin e parë ishin dinamovitët e Shkëlqim Muçës që fituan 2-1, pikërisht në debutimin e trajnerit aktual të bardhebluve, Alban Tafaj. Kastrioti nga ana e tij regjistroi humbjen dytë rresht, e 8-ta sezonale në 17 javë dhe e treta në shtëpi. Krutanët u barazuan me pikë nga Vllaznia, tashmë në kuotën e 19 pikëve. Përsa u përket statistikave historike, kjo ishte fitorja e tretë rresht e Tiranës në Krujë dhe e 8-ta në 17 ndeshje ndaj Kastriotit (1 fitore, 8 barazime).
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 17
23.12.2004, 13:30
Apolonia-Skënderbeu 1-1
Sead Hadjibuliç 40’/ Bledi Shkëmbi 58’ (p)
Kastrioti-Tirana 0-1
/Blerti Hajdari 67’
Vllaznia-Flamurtari 2-2
Ilir Nallbani 57’, Bekim Bala 88’/ Hair Zeqiri 63’, Hair Zeqiri 77’
24.12.2009, 13:30
Besa-Gramozi
Dinamo-Laçi
Teuta-Shkumbini
RENDITJA
1 Dinamo 16 41
2 Tirana 17 29
3 Besa 15 27
4 Apolonia 17 25
5 Teuta 16 22
6 Shkumbini 16 21
7 Laçi 16 20
8 Kastrioti 17 19
9 Vllaznia 17 19
10 Skënderbeu 16 15
11 Gramozi 16 15
12 Flamurtari 17 15
24 Dhjetor 2009