E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhiu del i pamundur nga ish-skuadra

Apolonia e Skënderbeu u ndanë në barazim 1-1 në “Loni Papuçiu” në takimin e vlefshëm për javën e 17-të të Kategorisë Superiore.
Sulmuesi Sead Hadjibuliç shënoi një eurogol nga goditja e lirë për fierakët në minutën e 40-të, goli i pestë sezonal i boshnjakut 26-vjeçar, një prej futbollistëve më cilësorë të Apolonisë. Skënderbeu barazoi me anë të kapitenit Bledi Shkëmbi, i cili goditi saktë nga pika e bardhë në minutën e 58-të. Goli i dytë sezonal i ish-lojtarit të Partizanit, pas atij në fitoren 4-1 kundër Gramozit në fazën e parë. Një pikë e çmuar për trajnerin Gerti Haxhiu, i cili doli i pa mundur nga ish-skuadra e tij. Ky ishte barazimi i katërt sezonal i Apolonisë dhe i treti me rezultatin 1-1, pas atyre me Vllazninë dhe Flamurtarin. Skënderbeu nga ana e tij regjistroi barazimin e tretë në transfertë dhe të gjashtin sezonal, duke u ngjitur në kuotën e 15 pikëve (sërish vendi i 11-të). Përsa u përket statistikave historike midis dy skuadrave ky është barazimi i 13-të në 46 ndeshje (13 fitore Apolonia; 20 fitore Skënderbeu). Në javën e 18-të, Apolonia do të luajë kundër Gramozit në Ersekë, ndërkohë që Skënderbeu do të presë në shtëpi Vllazninë.

Bollëk golash në Shkodër

Bekim Bala, sulmuesi i talentuar shkodran, i siguroi një pikë të çmuar Vllaznisë në barazimin 2-2 kundër Flamurtarit, në një ndeshje ku vlonjatët udhëhiqnin 1-2 deri në minutën e 88-të. Mesfushori Ilir Nallbani kaloi në avantazh Vllazninë në minutën e 57-të (goli i dytë sezonal i kosovarit), por Flamurtari vendosi ekuilibrat me anë të 21-vjeçarit Hair Zeqiri në minutën e 63-të. Ishte sërish autori i golit që i dha Kupën e Shqipërisë vlonjatëve në fitoren 2-1 kundër Tiranës, ai që në minutën e 77-të i dha avantazhin e përkohshëm Flamurtarit, përpara se Bekim Bala të vuloste barazimin final 2-2 në minutën e 88-të. Për lojtarin 18-vjeçar ky ishte goli i 6-të sezonal, duke u shndërruar në një lider absolut te Vllaznia, parë dhe faktin se kapiteni Vioresin Sinani u zëvendësua nga trajneri Roland Luçi.
Bala, një prej nëntë autorët e golave të Vllaznisë në 17 javët e para, është autori i golit të 15-të shkodranëve gjatë këtij sezoni. Ky ishte barazimi i katërt sezonal i Vllaznisë, ndërsa për Flamurtarin bëhet fjalë për barazimin e gjashtë. Skuadra vlonjate vazhdon të mbetet e fundit edhe pas javës së 17-të, por të paktën në dy ndeshjet e fundit ka grumbulluar katër pikë. Përsa u përket statistikave, ky ishte barazimi i 32-të në 138 ndeshje (65 fitore Vllaznia, 42 fitore Flamurtari). Në fazën e parë, Flamurtari fitoi 2-0 (dy gola nga Odise Roshi).

24 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›