E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dallgët përmbysin varkën, mbyten dy peshkatarë në Divjakë

Vangjel Trungu dhe Stavri Prendi humbën teksa peshkonin.

Lushnjë - Dy peshkatarë humbën jetën pas përmbysjes së varkës nga deti i trazuar në ujërat e Divjakës. Policia dhe polumbarët kanë nisur kërkimet për gjetjen e trupave. Por stuhia detare që ka përfshirë zonën ka vështirësuar kërkimet.
Ngjarja
Policia e Lushnjës raportoi se dy peshkatarë janë mbytur dje paradite në ujërat e Divjakës për shkak të përmbysjes së varkës së tyre në det të hapur. Të njëjtat burime thanë se dy peshkatarët e Divjakës rezultojnë të mbytur pas daljes së tyre me varkë për të mbledhur rrjetat e peshkimit, që i kishin lëshuar gjatë natës. Vangjel Trungu, 53 vjeç dhe Stavri Prendi 48 vjeç, kishin dalë me varkën e tyre në orën 07:00 të mëngjesit, ndërkohë rrymat e forta detare të shoqëruara nga stuhia kanë përmbysur varkën rreth 300 m larg nga bregu. Peshkatarë të tjerë të Divjakës kanë parë këtë skenë dhe u përpoqën t’u shkonin në ndihmë me një varkë tjetër për ti shpëtuar, por rrymat e forta dhe deti mbi 7 ballë kanë rrezikuar mbytjen e tyre, duke i detyruar të kthehen. Policia dhe polumbarët kanë nisur kërkimet për gjetjen e trupave, të cilat bëhen edhe më të vështira për shkak të stuhisë detare që ka përfshirë zonën. Kërkimet kanë vazhduar deri në të errur dhe janë ndërprerë për të vazhduar sot. Peshkatarët e kishin peshkimin të vetmin burim të jetesës për veten dhe familjet e tyre.
Portet
Moti i keq, i shoqëruar me stuhi detare, ka bërë që të bllokohet puna në Portin më të madh të vendit, atë të Durrësit. Situata nuk paraqitet më e mirë as në Portin e Vlorës. Në Adriatik dallgët e detit kanë shkuar deri në 7 ballë, çka e ka vështirësuar jo pak punën në këtë port. Tragetet Bari-Durrës, kanë mbërritur dy orë me vonesë, për shkak të detit të trazuar. Deti Adriatik po shoqërohet me stuhi të fuqishme detare, duke bërë që daljet në det për mjetet lundruese të ndërpriten gjer në momentin që valët e fuqishme të qetësohen. Puna është bllokuar përkohësisht edhe në Portin e Vlorës. Edhe në detin Jon, fuqia e detit është 6-7 ballë. Po ashtu, dje paradite një anije tregtare nuk e ka përballuar qëndrimin në spirancë në Portin e Vlorës dhe ka dalë në cekëtinë. Bashi i anijes është bllokuar në rërë, por kjo nuk ka shkaktuar dëme materiale dhe as njerëz të lënduar. Anija “NOVA”, e dalë në cekëtinë në zonën e plazhit të vjetër, ishte e drejtuar për në Drepobna, në Greqi dhe vinte nga Durrësi. Ajo është anije tregtare dhe kishte në bord disa marinarë. Qëndrimi i saj në port është kushtëzuar nga moti i keq, ndërsa dje është gjendur në cekëtinë. Burime nga kapiteneria e portit thanë se sapo të qetësohet koha anija do të tërhiqet nga rimorkiatori.

6 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›