Tragjedia e Gërdecit, mbyllet dosja për Delijorgjin, Pinarin dhe Minxhollin
Tiranë - Prokuroria e Përgjithshme ka mbyllur dje hetimet për tre të pandehurit e akuzuar për tragjedinë e 15 marsit, Ylli Pinari, Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxholli. Grupi hetimor është paraqitur dje paradite në ambientet e paraburgimit 313, ku dhe janë takuar me tre të pandehurit. Në praninë e avokatëve mbrojtjes të pandehurit janë njohur me aktet hetimore në ngarkim të tyre, si dhe kanë firmosur mbylljen e hetimeve. Prokuroria ka ngritur në ngarkim të tyre akuzat e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese të më shumë se dy personave”, “rrezikshmërisë së jetës së më shumë se dy personave dhe rrezikshmërisë së jetës së shumë personave të tjerë”, vepra penale këto të kryera në bashkëpunim.
Po ashtu mbi tre të pandehurit rëndon edhe akuza e “shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” si dhe akuzua e “shkatërrimit të pronës”. Për të pandehurin Pinari, Prokuroria ka ngritur akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Ngjarja për të cilën akuzohen të pandehurit ka ndodhur rreth një vit më parë. Për këtë ngjarje janë marrë të pandehur 28 persona, ku midis tyre dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Avokatët kryesisht bëhen pjesë e lojës së Bandës së Durrësit
Tiranë - Tashmë objekt për shtyrjen e seancave në procesin e Bandës së Durrësit nuk janë më vetëm avokatët e zgjedhur nga të pandehurit. Pjesë e kësaj loje për të shtyrë pafundësisht procesin gjyqësor janë bërë dhe avokatët kryesisht. Në të vërtetë, për shkak të statusit këta avokatë përfaqësojnë interesat e shtetit që procesi të mos ketë një kosto të lartë. Gjatë seancës së djeshme mungesa e avokatit Petraq Semani u cilësua e pajustifikueshme nga kolegji penal dhe u vendos të zëvendësohej nga një avokat kryesisht. Megjithatë, ky zëvendësim nuk shërbeu për të vijuar seancën gjyqësore ashtu siç ishte parashikuar. Avokati kryesisht kërkoi shtyrjen e seancës për t’u njohur më tej me aktet që ndodhen në dosje. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur akuzën për anëtarët e Bandës së Durrësit për një sërë vrasjesh. Prokuroria Për Krime të Rënda, më datë 03.04.2005 ka regjistruar procedimin penal nr. 35 për veprat penale të “vrasjes me paramendim në bashkëpunim” në ngarkim të shtetasit Klodjan Saliu, “mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda” dhe “grupit të strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 78 – 25, 278/4 dhe 333/a të K. Penal. Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë, më datë 09.03.2006, pasi ka rifilluar hetimet dhe ka regjistruar procedimin penal nr. 34 në lidhje me ngjarjen e datës 17.10.1998, ku ka mbetur i vrarë shtetasi Dritan Sallaku dhe janë plagosur Ilir Nela dhe Agim Rexhepi, ky procedim penal i është bashkuar procedimit penal nr. 35 të vitit 2005. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës ka regjistruar procedimin penal nr. 506 në lidhje me ngjarjen e datës 29.10.1998 në lidhje me vrasjen e shtetasve Viron Curri, Arjan Paja dhe plagosjen e shtetasit Marsel Sotiri, si dhe procedimin penal nr. 274 në lidhje me ngjarjen e datës 10.07.2000 në lidhje me vrasjen e shtetasit Dritan Disha. Zinxhiri i vrasjeve për të cilat akuzohet kjo bandë shkon edhe më tej.
6 Mars 2009