E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, specializantët pa rroga, “devijon” buxheti

Më shumë se 60 specializantë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë kanë mbetur të papaguar që në çastin e fillimit të punës, rreth dy muaj më parë. Shkak për këtë është bërë abuzimi me fondin e përcaktuar për specializantët, i cili sipas burimeve nga QSUT, është përdorur për të punësuar 140 punonjës, që janë mbi organikën e miratuar nga Këshilli i Ministrave, nga administrata e kaluar e këtij institucioni.

Aktualisht, punonjësit e QSUT-së kanë mbetur pa u paguar, ndërkohë që nuk u është dhënë asnjë afat se kur do të marrin rrogat e prapambetura. Sipas burimeve nga QSUT, buxheti i qendrës më të madhe spitalore në vend nuk ka mundësi të paguajë për specializantët, pasi fondi i përcaktuar për ta nuk ekziston më, pasi është shpërdorur. Ndërkohë që pritet ndërhyrja e Ministrisë së Shëndetësisë për të zgjidhur situatën.

Muajt pa rrogë

“Kemi nënshkruar marrëveshjen e punësimit në muajin gusht dhe kemi filluar punë, por nuk jemi paguar për këtë periudhë”, – na thotë një prej specializantëve në mjediset e QSUT-së. Ai tregon se ndonëse kanë fituar të drejtën për të kryer specializimin në këtë qendër, nuk kanë marrë të ardhurat e kësaj marrëveshjeje. “Nuk na kanë sqaruar se kur do t’i marrim rrogat, por kemi mësuar se fondi që ishte përcaktuar për ne, që ishte zë i veçantë në buxhetin e QSUT-së, është përdorur për të punësuar administratë nga ish-drejtori”.

Çdo vit, QSUT punëson specializantë, të cilët i paguan, e për këtë, çdo vit, Ministria e Shëndetësisë i përcakton një fond të veçantë këtij institucioni vetëm për këtë çështje. Por, këtë vit, ish-drejtori i institucionit, Mati Pepa, e ka përdorur fondin e rezervuar për specializantët, për të kryer emërime, duke i lënë ata pa rroga.

Ngërçi

Drejtoria e QSUT-së ka deklaruar se deri tani ka vërejtur se janë 140 punonjës administrate mbi organikën e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, të cilët paguhen nga fondi në fjalë dhe që janë emëruar gjatë këtij viti. Sipas burimeve zyrtare nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ende nuk dihet se çfarë do të bëhet me këta punonjës si edhe me rrogat e specializantëve.

“Kemi kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë një zgjidhje në lidhje me këtë çështje”, – thotë zëdhënësi i QSUT-së, z. Alvi Bajramaj. Situata i është pasqyruar krerëve të ministrisë, prej nga të cilët është kërkuar që ose të shtojnë fondin për specializantët, ose të gjendet zgjidhje për punonjësit që janë mbi organikë. “Gjithsesi specializantëve do t’iu paguhen pagat e prapambetura”, – deklaroi z. Bajramaj.

Çelen programe të reja masteri në universitetet e Tiranës

Këshilli i Ministrave çeli programe të reja masteri në Universitetin e Tiranës (UT), në Universitetin Politeknik të Tiranës (UPT) dhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT). Ky vendim u mor të mërkurën nga Këshilli i Ministrave, i cili miratoi propozimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për hapjen e programeve të të studimit, të ciklit të dytë.

Në UT studime të ciklit të dytë do të ketë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në programin e studimit "Kimi", me profilin "Analiza kimike dhe vetitë e lëndës"; "Matematikë"; "Inxhinieri matematike dhe informatikë","Informatikë". Në Fakultetin e Shkencave Sociale të UT-së do të çelet programi i studimit "Filozofi sociale" dhe "Shkenca Politike". Programet e studimeve të ciklit të dytë në këto degë realizohen me 120 kredite dhe zgjatja normale e tyre është dy vite. Këto programe studimi të fillojnë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2008-2009. Në UPT do të çelen këtë vit akademik programe studimi, të ciklit të dytë, në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. Në këto fakultete do të ketë program studimit "Inxhinieri tekstili dhe mode" dhe "Inxhinieri ndërtimi" të profilizuar. Programet e studimeve të ciklit të dytë realizohen me 120 kredite dhe zgjatja normale e tyre është dy vite. UBT-ja do të ketë studime të ciklit të dytë në programet "Ekonomi dhe politika agrare", "Financë-kontabilitetet"dhe "Menaxhim agrobiznesi". Edhe këto programe realizohen me 120 kredite dhe zgjatja normale e tyre është dy vite.

Durrës

Shkollë profesionale për nxënësit e fshatit

Në kuadrin e krijimit të kushteve sa më bashkëkohore për mësimdhënien nga qeveria, Këshilli i Qarkut të Durrësit po shkon drejt krijimit të një shkolle profesionale e cila do të plotësojë nevojat për punonjës të kualifikuar në bazë të kërkesave të tregut të punës në Durrës dhe Krujë. Kjo do të shoqërohet edhe me një VKM, e cila do ta kalojë arsimin profesional në vartësi të pushtetit vendor. Për çdo vit në qarkun e Durrësit mbesin jashtë dyerve të shkollave të mesme 8116 nxënës të cilët përfundojnë arsimin 9-vjeçar. Ata janë kryesisht kontingjente të komunave e bashkive periferike të Durrësit si dhe nga rrethi i Krujës. Pikërisht për të arsimuar këtë kontingjent është vendosur ngritja e një shkolle profesionale,degët e së cilës do të vendosen në bazë të kërkesave të tregut të punës në Durrës e Krujë. Të tilla degë mund të jenë ajo e artizanëve të prodhimeve specifike të Krujës apo e restauratorëve të monumenteve të kulturës në Durrës, e peshkatarëve si dhe e degëve të tjera për të cilat tregu ka nevoja të ngutshme. Për këtë qëllim, kreu i Këshillit të Qarkut të Durrësit Seid Kertusha, zhvilloi një takim me përfaqësues të SWIS- Contaktit (të cilët kanë marrë përsipër asistencën teknike për realizimin e këtij projekti), me përfaqësues të arsimit profesional të MASH, si dhe me ata të Dhomës së Tregtisë e të Bashkisë së qytetit të Durrësit. Në takim u bë i njohur drafti për Decentralizimin e Arsimit Profesional, sipas të cilit Qarku i Durrësit shpallet qark pilot në shkallë vendi. Pas miratimit të këtij drafti në një konferencë kombëtare që do të organizohet në Durrës në fund të këtij muaji ose në fillim të muajit të ardhshëm, do të kalohet në një VKM po për këtë problem. Kreu i qarkut, Kërtusha, deklaroi për “standard” se “Këshilli i Qarkut të Durrësit synon për një politikë të re rajonale të arsimit dhe formimit profesional i cili ti përgjigjet zhvillimit ekonomik të rajonit”. Decentralizimi i arsimit profesional mbështetet në krijimin e Qendrës së Arsimit dhe Formimit Profesional në nivel qarku,në kalimin e aseteve arsimore te kjo qendër si dhe në krijimin e bazës financiare për këtë arsim. Synimi është që gjatë vitit 2008-2009 të arrihet ngritja e shkollës profesionale e cila do të ketë si prioritet të sajin përgatitjen profesionale të të rinjve të fshatit. Nga ana e tyre si përfaqësuesi i SWIS- Contaktit, Matthias Jaeger, ashtu dhe Stavri Llambiri, i deleguari i MASH, deklaruan se “do të japim mbështetjen teknike dhe financiare për realizimin e këtij projekti”. Sipas tyre, menaxhimi i arsimit profesional në bazë rajonesh është një praktikë tashmë e njohur kudo në Perëndim.

Durrës

Kopshtet shtetërore të tejmbushur më fëmijë

Prej vitesh në qytetin e Durrësit, funksionojnë rreth 10 kopshte shtetërore për fëmijë, në një kohë që popullsia e qytetit ka arritur 225 mijë banorë. Një situatë e tillë e ka krijuar mbingopje me fëmijë me afro trefishin e kapacitetit të tyre. Edukatoret shprehen se “u bënë disa vjet që fëmijët i vendosin dy vetë në një krevat për të kaluar gjumin e drekës”. Në Durrës funksionojnë sipas burimeve dhe statistikave të bashkisë, 10 kopshte shtetërore prej të cilëve shtatë janë me drekë, dhe tre ditorë. Në datën 15 shtator, këto kopshte u çelën bashkë me shkollat, dhe u regjistruan 1200 fëmijë nga 700 që është kapaciteti i tyre i përgjithshëm. Pagesa mujore është 3 mijë lekë në muaj që është edhe shkaku se përse prindërit vrapojnë t’i regjistrojnë fëmijët në këto kopshte. Por mjaft prej tyre nuk kanë mundur që të sigurojnë vende në këto kopshte për fëmijët e tyre. Ndërkohë si në Drejtorinë Arsimore ashtu dhe në bashki e njohin mirë gjendjen e arsimit parashkollor dhe se është e nevojshme ngritja e kopshteve të rinj. Por ka vite që nuk është ndërtuar asnjë i tillë për shkak se nuk ka troje të lira- deklarojnë në në Bashkinë e Durrësit. Ndërkohë ndryshe qëndron puna te kopshtet private të cilët ofrojnë kushte optimale për fëmijët por pagesa e tyre është 3 herë më e lartë se në kopshtet shtetërore. Në Durrës janë licencuar 9 kopshte private, dhe janë regjistruar rreth 400 fëmijë. Trajtimi tyre nis që nga transporti me automjetet e vetë kopshteve për fëmijët deri te hapësirat e bollshme, ku ata kalojnë orët. Pagesa është 10 deri 15 mijë lekë në muaj. Prindërit shprehen se bashkia duhet të nisë me urgjencë ndërtimin e kopshteve të rinj, sepse shumica e tyre e kanë të pamundur ti regjistrojnë fëmijët në kopshte private.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›