Dallimet themelore mes Metës dhe Ramës
Edmond Arizaj
Nuk është shumë e vështirë të vendosësh shenjën e ndryshimit mes liderit të LSI-së dhe atij të PS-së. Hipokrizia është mosngjashmëria e parë mes të dy drejtuesve të së majtës. Mos të shkojmë më tutje, por veç tek deklaratat e të dyve në adresë të njëri-tjetrit. Rama nuk e heq nga goja shprehjen “miku im”, ndonjëherë dhe “miku im i dashur”. Jo më larg se para disa ditësh, sërish Rama, me shprehjen e përndritur “miku im i dashur Meta”, çuditej pse kryetari i LSI-së nuk pranonte koalicionin e përbërë Në një kohë kur vetë Rama, është i vendosur që “mikut të dashur” të përpiqet t’i presë krahët dhe këmbët, së fundmi duke bërë ndryshimet në kodin elektoral pa korrektim kombëtar. Natën dhe në tryeza të ngushta të Ramës, Meta është armik, ndërsa ditën është “miku i mirë”. Jo shumë e panjohur kjo sjellje e Ramës.
Ndryshimi i dytë mes të dyve është vizioni për shtetin. Duke lënë mënjanë rininë anarkiste të Ramës, mjafton të kujtosh lehtësinë me të cilën ai ndryshoi Kushtetutën në bashkëpunim me Berishën, i cili nga ana e tij është i larë në këtë mes, pasi ende nuk është shprehur qartas se e njeh këtë Kushtetutë të votuar në kohën e socialistëve. Kushtetuta është puna më kryesore e qeverisjes së Partisë Socialiste, baza e ndërtimit të shtetit, që sot po e gëzon Rama dhe Berisha, megjithatë kryesocialisti nuk e pati aspak problem ta ndryshonte pa marrë asgjë parasysh dhe pa pyetur askënd. Në një farë mënyre, një shtet i rrëmujshëm, duket se i përshtatet më së miri jo vetëm Berishës, por edhe Ramës. Në ndryshim, Meta ka dalë me forcë në mbrojtje të Kushtetutës, duke mbrojtur në këtë mënyrë edhe të gjithë socialistët që e votuan dhe shqiptarët që e mirëpritën këtë dokument. Shteti ligjor, ku ligjet zbatohen edhe për Berishën, (Meta e ka treguar këtë) është vizioni i kreut të LSI-së, diametralisht i kundërt nga ai i Ramës.
Politika nuk ka besë, mund të thotë ndokush, por gjithsesi ka fjalë të mbajtur, ndryshe shumë prej politikanëve do të katandiseshin si Xhuveli qëmoti, apo Milo së afërmi. Mbajtja e fjalës, apo e marrëveshjeve në gjuhën politike, i rindan sërish Metën dhe Ramën. Nuk është e largët koha e zgjedhjeve lokale, kur Rama përgjërohej për bashkëpunimin, teksa Berisha lëshonte rrufe pas rrufesh në adresë të tij. Një bashkëpunim me Metën i dha Ramës dhe së majtës një fitore tronditëse përballë Berishës në pushtet dhe një çlirim të të gjithë të majtëve, se paskëtaj nuk do të kishte më avaze për të majtën. Një zhgënjim total, teksa pasi riveshi shiritin e kryebashkiakut, Rama mallkoi Metën dhe dashuroi Berishën, duke rikthyer tek të majtët ngërçin e ardhjes në pushtet. Zakonisht pabesia paguhet, dhe jo për mirë.
Rama ka një problem të madh si kryetar i një partie opozitare, sepse ai kurrë s’ka qenë në opozitë, por vetëm në pushtet. Dhe si kryebashkiak i Tiranës, ka ditur të ëmbëlsohet me të gjithë kryeministrat socialistë, por gabimisht po e bën një gjë të tillë edhe me kryeministrin e radhës, që për fat të keq të tij nuk është socialist, ndërsa Rama përveç kryebashkiak është edhe kryetar i PS-së. Ndoshta Rama nuk e ka fort të qartë se si i duhet bërë opozitë Berishës, dhe gati e fal atë, edhe pse ka hedhur në erë një fshat të tërë me dhjetëra të vdekur e qindra të plagosur. Nuk është e njëjta gjë me Metën, që me mijëra socialistë të tjerë kujton opozitën e ’92-’97 përballë Berishës. Një opozitë tmerrësisht e vështirë, përballë një njeriu që nuk e kapërdinte dot termin opozitë apo kundërshtim. Sot është i njëjti njeri në pushtet, por më i çlirët, sepse përballë ka një
tjetër kryetar të PS-së, që i çliron rrugën nga ferrat që i sjellin nëpër këmbë qeveritarët apo vendimet e tij. Të ndryshme janë edhe përqasjet e të dyve karshi Partisë Socialiste; Meta u afrua te kjo parti në atë kohë kur edhe vetë Rama e godiste me gurë dhe nuk linte fjalë pa lëshuar në adresë të saj, ndërsa Rama u afrua me të vetëm kur i dhanë Ministrinë e Kulturës, dhe u bë socialist me teserë kur i duhej për kandidim. Meta duke marrë përsipër të gjitha mallkimet e 2005-ës, pavarësisht se u mënjanua pandershmërisht nga strukturat e PS-së, zgjodhi rrugën e konkurrimit dhe ballafaqimit me Nanon (jo pak sot thonë se nëse Meta do ta kishte duruar poshtërimin, tanimë do të ishte kreu i PS-së), ndërsa Rama punoi tinëzisht kundër PS-së në 2005-ën; le të mos harrojmë rastin e Rrogozhinës. Teksa Meta për partinë e tij ka një platformë të qartë mbi baza socialiste, Rama ende nuk ka shpjeguar idenë e tij për politikën e re, përsa i përket drejtimit të PS-së dhe gjenerimin e politikave. Ndoshta frika e Ramës qëndron në kohën kur u zgjodh kryetar, vetëm një ditë pasi iu rrëzua platforma politike, një situatë ende e pashpjeguar edhe sot. Një ndryshim tjetër thelbësor mes Ramës dhe Metës është drejtimi i partisë nga qendra në bazë. Teksa Meta brenda një kohe të shkurtër organizoi një parti me struktura të plota në të gjithë Shqipërinë, Rama po brenda kësaj kohe dyzoi strukturat që i gjeti të gatshme. Me anë të filozofive të tij, që ishin veç të tij dhe me panjohjen e partisë, solli pështjellim në bazë dhe ngriti një pikëpyetje të madhe, mbi vetë synimet e tij në drejtim të kësaj partie. Kërkon të sjellë të majtën në pushtet, apo kërkon të mbajë veten e tij me pushtet të pakontrolluar? Kjo është pyetja që gjëmon në elektoratin e majtë të PS-së. E çuditshme është se, ndërsa Meta shprehet përherë se ai është socialist, jo i PS-së, por socialist, Rama e ka shumë të vështirë ta artikulojë këtë përkatësi, ndoshta për hir të kohëve të vjetra. “Dialogu me Shqipërinë” solli në dritë edhe një tjetër antikap të Ramës. Nuk di të sillet me bazën. Pavarësisht se slogani ishte “Dialog…”, shumica e takimeve u kthye në monolog, ku Rama fliste nga tribuna dhe dëgjuesit duhet të duartrokisnin nga poshtë. Largimet e tij demonstrative në shumë takime, pasi i drejtoheshin pyetje të ndryshme, qoftë edhe provokative (nëse kjo përdoret si arsyetim nga Rama), tregon moszhdërvjelltësinë e tij politike, jo vetëm me të tijtë, por edhe me kundërshtarët. Jo pak herë politika kërkon improvizim, të cilin Rama nuk e ka, në ndryshim nga Meta.
Meta është një lider i fortë, kjo është e pranueshme. Pra, LSI është e ndërtuar mbi bazën e një personaliteti me shumë karakteristika shqiptare, dhe jo një parti bunker siç cilësohet ndonjëherë. Sepse prej sa kohësh LSI është krijuar, pavarësisht se vetëm në opozitë, askush nuk është përjashtuar prej saj. Ndërsa Rama bëri “çudinë” me PS-në. Përjashtoi apo detyroi të ikin jo pak nga ish-figurat e kësaj partie në sajë të politikës së tij autoritariste. “Çudi” që ishte parë vetëm tek PD-ja e Berishës. Rama i mban ende njerëzit rreth tij, vetëm me biskotën e përfitimit nga pushteti, ndërsa Meta ka vite që nuk e ka këtë mundësi, por mbahet vetëm me idealizmin e socialistëve të dikurshëm, pavarësisht se në ditë të sotme kjo “s’të jep bukë”.
Bashkëpunimi për reformat po kthehet në telenovelë (ato që s’ka qejf Rama), ndërsa bashkëpunimet e tjera mes Ramës dhe Berishës tashmë kanë nisur të bëhen publike dhe fitimet që nxjerrin mediat nga këto bashkëpunime janë marramendëse, ndoshta edhe më shumë se rruga Durrës-Kukës, që akuzon herë pas here PS-ja. Në sajë të këtyre bashkëpunimeve, “shpresohet” që Tirana të kthehet në një masë të madhe betoni. Këtu qëndron edhe një tjetër ndryshim mes Metës dhe Ramës, që u intereson shumë kryeqytetasve, por edhe më gjerë.
Janë këto ndryshime që i japin Metës petkun e një politikani, teksa i heqin Ramës kostumin e zorshëm të një socialisti. Ndryshime këto që mund t’i kushtojnë shumë Ramës në zgjedhjet e 2009-ës, duke i lënë të majtët edhe katër vjet nën diktatin e Berishës. Natyrshëm që ka edhe ndryshime të tjera, por ato do të ishin të vlefshme për mediat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse në Shqipëri është pak e zorshme të përmenden, për hir të një marrëveshjeje të pashkruar të gazetarëve me politikanët.