E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishësit e besimit/Regjimi mbylli strehat e patriotizmit

Ndoqa një dokumentar të AQSH ku bëhej fjalë për prishjen e veprave të kultit. Në Suk të Permetit, turma e nxitur kishte nxjerrë kazma dhe lopata dhe u turrën drejt teqesë. Prishën gardhimin në fillim. Hapën arkivolin, shkulën muret, shkatërruan gjithshka. Në fund, në sheshin e fshatit hodhën një valle të rëndë. U intervistuan pleq dhe një dervish që nga halli dorëzoi taxhin. Më pas një gjyq që dënonte babain e një teqeje me gjak shqiptari, babain e teqesë së Frashrit. Teqesë së baba Alushit që punoi për shqiptarizmin dhe Rilindjen kombëtare, aq sa Baba Rexhebin që e dënuan me vdekje shkruante se po të mos ishte Baba Alushi nuk mund të mos realizohej ideali i Abdyl Frashërit.

Se sa i gënjeshtër ishte misioni i emisarëve për prishje të objekteve të besimit tregoi se ky vend që kishte besuar fillimisht në paganizëm dhe më vonë përqafoi Krishtërimin nëpërmjet apostujve të Krishtit, përmendet këtu misioni i apostulit Pal dhe më vonë përhapja e islamizmit e bektashizmit. Mirëpo kalvari që pësoi edhe bektashizmi nga regjimi ishte i pangjashëm. Pushkatimi i Ali Tomorit në kalanë e Gjirokastrës, këtij kleriku poet tregoi se si i vlerësonte regjimi patriotët fetarë shqiptarë.

Kryeqendra botërore/Në kryeqendrën botërore të bektashizmit, në këtë hapësirë kaq të ngushtë, në periferi të kryeqëndrës, një numër ngjarjesh të thjeshta, të tjera të ndërlikuara, trazuan jetën e dervishëve bektashinj. Dervishë të thjeshtë, baballarë patriotë, por kryegjyshër konseguent të urdhrit të bektashizmit, janë rrëzuar në ritmin e dhomave të pagoja. Përmbi shpinën e selisë së shenjtë në kodrinën e Tiranes, kanë fshikulluar erëra tinzare. Në 70 vjetët e jetës në truallin shqiptar kanë ndodhur disa ngjarje tronditëse. Duhet të hapësh defterin e zi, që të lexosh llaftarinë e pushtuesit. Bilanci është se në Shqiperi kanë rënë shumë pushtime, që kanë prekur kohërat, që kanë ardhur nga të gjitha anët. Eshtë një defter me kapakë të zinj. Pushtuesit, përpara se të ngrinin koracën e rëndë të pushtimit, më parë kërkonin të gjunjëzonin patriotët. Pushtuesi ua ka deshiruar vdekjen besimeve fetare, që binin era shqiptar. Bektashizmi shqiptar, për këto arsye kishte kultivuar shqiptarizmin, pa e ndarë nga detyra e shenjtë. Nuk ka patur fare turbullirë pushtuesi, kur të gjitha erërat e tyre kanë shpërthyer të egra e kanosëse, përmbi bektashinjtë shqiptarë. Në logjikën e pushtuesit ka qenë e mirëstudiuar devijimi, gremisja në humnerë, shurdhimi i tyre. Më e egër bëhej urrejtja e tyre, kur këta ishin të veshur me rroben fetare, mbanin mbi supe rrobën jeshile, rrinin në teqe, kishin besimtarë, por në shpirt ruanin dritësimin. Kishin punuar për vendin e tyre, jetën e jepnin, vendin nuk e shisnin. Prandaj karshi bektashizmit është derdhur vazhdimisht një valë e egër përndjekjeje. Gjurmët gjënden që në kohëra të hershme të Sulltan Mahmutit për të rifilluar me përndjekjet në rilindje e me gjerë. Ngjarjet që përpinë Shqipërinë në Luftën e Dytë, kaluan jo pa viktima edhe në Selinë e shenjtë të bektashinjve. Një akt represioni i pushtuesit italian është vrasja e kryegjyshit Sali Dedei. Në bllamat e gjakut u gjend 28 vjeçari dervish Azizi. Ndërrohen rregjime, luftra e kohë paqeje. Arrestohet dhe vdes në burg Kamber Dede. Kryegjyshi Abaz Ilmi Dede ka vrarë pak çaste më parë dy baballarë, Fejzo dhe Faja. Rrëzon veten duke shurdhuar trupin, por jo shpirtin me ftohtësinë e plumbave kallkan. Ngjarjet që sunduan në kryeqendrën e bektashizmit në një periudhë kohore prej 6 vjetësh, nga vjeshta e ‘41, deri në dimrin e acartë të ‘47 ishin tronditëse. Fillimisht ishin pushtuesit,që ngritën prita për shqiptarët duke marrë jetën e Sali Dedeit, ndonëse më vonë regjimi komunist bëri pritat për religjonet fetare. Kryegjyshata boterore në periferi të Tiranës, u trazua nga erat kanosëse, që hëngrën tre kryegjyshë boterorë. Ndonëse plagët po shëroheshin ngadalë në selin e shenjtë të bektashizmit, goditën erërat uluritëse të shkurtit 1967. Selia e shenjtë krejt papritur pas viteve ‘60 u kthye nga regjimi, në një azil të vetmuarish.

Por që të qendronte selia e shenjtë, e përhershme të ishte, zëri të mos i mekej, pothuajse ngjyra të mos i ikte, ka ngjarë si në legjendën e lashtë shqiptare të murimit. Eshtë dashur gjaku i njerëzve të mirë. Kështu muret e saj do të bëheshin fortesë. Vendi i shenjtëruar nga gjaku i dervishëve shqiptarë. Gjëra që na shfaqen çuditërisht të pabesueshme. Eshtë mënyra si e mbrojnë urdhrin, duke depërtuar përtej kufijve të realitetit tonë. Këto vepra të larta shenjtoresh ndonjëhere nuk janë kuptuar aq mirë, nga një pjesë e njerëzimit, por janë dëshmi të mbijetesës së besimit...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›