E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dallimin me atë pjesë të opozitës që është vlerë morale”

10/12/2009  Berisha kërkon nga shqiptarët të dallojnë mes socialistëve të vërtetë dhe Ramës

Kryeministri Sali Berisha u ka kërkuar shqiptarëve të jenë të kujdesshëm e të mos ngatërrojnë socialistët e vërtetë me figurën e kryetarit të PS-së dhe të atyre që e përkrahin. Një ditë pas tubimit në sheshin “Skënderbej” me rastin e 8 dhjetorit kreu i qeverisë kërkoi nga mbështetësit e Partisë Demokratike të bëjnë dallimin me atë pjesë të caktuar opozitës që është një vlerë morale e pakontestueshme për vendin. Për Berishën kryetari i PS-së, Edi Rama, në të vërtetë nuk ka asnjë interes opozitar. “Nuk ka asnjë interes demokratik, ka thjesht dhe vetëm një kauzë mafioze, kauzë e cila qëndron në përvetësimin e qindra mijë, në mos miliona metra katrorë troje publike në Tiranë, me klanet mafioze që e drejtojnë dhe i drejton”, - deklaroi kreu i qeverisë. Berisha nuk ka ngurruar aspak të vazhdojë akuzat në drejtim të kundërshtarit të tij kryesor politik. Ai ka vlerësuar se kauza e Ramës konsiston në mbylljen e rrugëve dhe ndërtimin mbi rrugët e kryeqytetit, në shndërrimin në bashkëpronar në tokat dhe trojet publike, sikur të ishin trashëgimi e të atit dhe jo pronë e qytetarëve shqiptarë. Berisha në daljen e djeshme publike e vuri theksin në akuzat e sulmet shpeshta që kryesocialisti Rama i ka bërë gjatë dy vjetve atij dhe familjareve të tij, pa nxjerrë as edhe më të voglën provë. “E vërteta është se këtë ai është i gatshëm ta bëjë me fëmijët e gjithsecilit prej jush, me bashkëshortet e gjithsecilit prej jush, për fajin e vetëm se ato nuk zhvishen plazheve, siç i zhvesh ai të vetat, pasi ato janë të ushqyera, nuk u është mohuar kafshata, janë trajtuar siç duhen të trajtojë prindi fëmijën”, - deklaroi kryeministri shqiptar. Shefi i ekzekutivit, duke përcjellë një mesazh falënderimi për të gjithë pjesëmarrësit në mitingun festiv të 8 dhjetorit, Berisha u shpreh se të shumtë ishin ata që u ndien të lënduar, sepse 19 vjet pas kësaj date historike udhëheqësi i PS-së përpiqet ti vërë shkelmin vullnetit të popullit. “Sot, pas 19 vjetësh një njeri, një udhëheqës i Partisë Socialiste – do të më falni se do të shprehem – një udhëheqës pa brekë, sepse, siç ka dalë zotëria e tij në plazhet publike, nuk ka një politikan të vetëm në botë që të ketë dalë, ai njeri deklaron se do të shkelmojë mbi votën tuaj, deklaron se nuk njeh vullnetin tuaj”, - tha kreu i qeverisë.

Falënderimi

“Dëshiroj tju përcjell urimet e mia më të përzemërta, mirënjohjen time më të thellë për takimin e jashtëzakonshëm, mitingun më madhështor në historinë e kryeqytetit në nderim të një date që përcaktoi lindjen e lirive dhe të drejtave tona njerëzore, të një date që përcakton moshën e lirisë sonë dhe moshën tonë, si njerëz të lirë. Ne u bashkuam si qytetarë nga mbarë Tirana, nga mbarë Shqipëria, u bashkuam si kurrë ndonjëherë më parë.”

Akuza

Shefi i ekzekutivit, duke vijuar akuzat me tone të ashpra kundër Edi Ramës, tha se ai ka shndërruar në kauzë shpifjet dhe trillimet e ulëta ndaj cilitdo, “në mënyrë që të krijojë përshtypjen se këtu në Shqipëri janë të gjithë të përlyer si ai”. Për Berishën në të vërtetë Rama nuk ka asnjë interes opozitar, por ka thjesht dhe vetëm një kauzë mafioze, kauzë e cila qëndron në përvetësimin e qindra, në mos miliona metra katrorë troje publike në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›