E Diel, 1 Nëntor 2026

Dima Bilan, i pesti te Grabocka, i pari në Eurosong

Dy vjet më parë Dima Bilan këngëtari rus që fitoi “Eurosong 2008” mbrëmjen e së shtunës në Beograd, ka vizituar për herë të parë Shqipërinë. 

 Në fillim qershor të vitit 2006, artisti ka marrë pjesë ne spektaklin e regjisores së njohur Vera Grabocka, “Euro Video Grand Prix”, ku edhe u rendit i pesti. Rusi i njohur, konkurroi me këngën “Never Let you go”, ndërmjet Guissepe Povia, Mihai Treastariu etj. Me të njëjtën këngë që mori pjesë në spektaklin e realizuar për herë të parë në Shqipëri Dima Bilan është vlerësuar me çmimin e dytë në “Eurosong”, që u zhvillua në Greqi. Ndërsa në mbrëmjen e së shtunës në arenën “Beogradcka”,  këngëtari rus ka rrëmbyer mikrofonin e kristaltë në Beograd me këngën “Believe”. “Dua ta kujtoj këtë ditë si ditën më të bukur për shkak të ‘Eurovision’”, u shpreh 26-vjeçari në konferencën për shtyp, përpara se të falënderonte skuadrën e tij që e shoqëronte. Në konferencën e shtypit, Dima Bilan dhe pjesa tjetër e delegacionit rus u pritën nga fansat dhe shtypi i akredituar aty, të cilët e pritën mjaft mirë. Fituesi i “Eurosong 2008” iu është përgjigjur mjaft pyetjeve të gazetarëve. “Ne i besuam njëri-tjetrit, çdo anëtar iu grupit mori një rrezik që nuk shkoi kot. Fituam! Një ëndërr mund të bëhet realitet!”, tha ai krenar që kishte marrë trofeun e kristaltë në formë mikrofoni të “Eurosong”. “Nuk ishte shumë e thjeshtë, ka qenë një udhëtim i gjatë dhe i vështirë” u shpreh Bilan, por mbi të gjitha ai falënderon Evgeni Pluschenko, i cili performoi gjatë këngës “Believe” dhe është një ndër rekordmenët e patinazhit. Sipas tij, trofeu i këngës i takon kompozitorit. Në konferencë, Bilan u shpreh se ishte duke promovuar CD e tij të re dhe se do vazhdonte me karrierën e tij si muzikant. Ndërsa Evgeni Pluschenko, pyetjes se pas këtij suksesi a do të hynte në botën e muzikës dhe do të provonte të këndonte, iu përgjigj se ai është një figurë e patinazhit dhe nuk është këngëtar dhe nuk ka ndonjë plan që të merret me këngë apo me skenën. Kur Dima u pyet se si ndihej pas fitores, u përgjigj se ndoshta do të duhej tre ditë që ta merrte veten nga kjo fitore. Ndërsa i pyetur nëse performanca në “Eurosong” ka qenë më e gjata, më e shkurtra apo ishin tre minutat më të shkurtra të lumtura të jetës së tij, Dima i përgjigjet: ishin të tria. Ai ka kënduar një pjesë të këngës në spanjisht i shoqëruar në violinë nga Edvin Marton. Në këtë garë të madhe të këngës evropiane, artisti që çoi “Eurosong” në Rusi, u vlerësua me 272 pikë, duke lënë pas përfaqësuesen e Ukrainës po ashtu dhe atë të Greqisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›