E Diel, 1 Nëntor 2026

Mrekulli në Kinë, i gjallë nën rrënoja pas 266 orësh

Një ngjarje që mund të vlerësohet si mrekulli ka ndodhur në Kinë, ku një burrë është gjetur i gjallë pas 266 orëve nën rrënoja. 

Sipas televizionit shtetëror kinez, i mbijetuari është një 80-vjeçar, tashmë gjysmë i paralizuar që ka arritur të qëndrojë i gjallë për 11 ditë, i ngecur në një kënd të vogël të shtëpisë së rrënuar. E shoqja e ka ndihmuar duke i hedhur ushqim ndërsa priste të vinin ndihmat për ta nxjerrë që aty. Xiao Zhihu u shpëtua në qytetin Mianzhu. Ndërkohë, një tjetër tërmet ka goditur rajonin Sichuan dhe është ndier edhe në Pekin. Epiqendra e tërmetit, kësaj radhe 6,4 ballë është lokalizuar në Qingchuan, në verilindje të rajonit. Kjo është e njëjta zonë që u godit nga tërmeti më 12 maj. Tronditja e re ka shkaktuar një viktimë dhe plagosjen e 400 personave dhe shkatërrimin e 700 mijë shtëpive. Ndërkohë, numri i personave që e kanë humbur jetën në tërmetin e 12 majit arriti 62.664. Rreth 24.000 persona llogariten si të zhdukur, njofton agjencia shtetërore kineze “Ksinhua”. Në tërmetin me intensitet prej 7,9 ballësh sipas shkallës Rihter janë shkatërruar pesë milionë shtëpi, ndërsa më shumë se pesë milionë persona mbetën në qiell të hapur. Kryeministri kinez, Ven Xhijabao, i cili ka vizituar mbrëmjen e së premtes zonën e dëmtuar bashkë me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-Mun, deklaroi se, druhet se numri i viktimave ndoshta do të arrijë edhe më shumë se 80.000 persona.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›