E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dallku imiton Totin, por “fundos” Vorsklën

 

Jetmir Halilaj

Vorskla Poltava e treshes kosovare Armend Dallku, Debatik Curri e Ahmed Januzi, është mpo-shtur nga Dinamo e Kievit, të shtunën në mbrëmje në ndeshjen e vlefshme për Superkupën e Ukrainës të zhvilluar në qytetin Sumi. Skuadra nga Kievi, që është edhe kampione në fuqi, arriti të fitonte vetëm pas penalltive 4-2, sepse koha e rregullt dhe dy shtesat u mbyllën pa gola. Për Vorsklan, një nga dy penalltitë e realizoi Curri, ndërsa Dallku goditi shtyllën. Ky i fundit e ekzekutoi 11-metërshin në formë parabole “alla Toti” dhe megjithëse nxori jashtë loje portierin, nuk pati fat, pasi topi u përplas në traversë, duke mos përfunduar në rrjetë. Si Curri, ashtu edhe Dallku ishin titullarë, ndërkohë sulmuesi Januzi në këtë përballje është aktivizuar në minutën e 76-të. Vorskla është fituese e Kupës së Ukrainës, që është suksesi më i madh i kësaj skuadre në historinë e saj gjysmëshekullore. “Penalltitë janë fat dhe unë qëllova shtyllën. Para meje një shoku im i skuadrës po ashtu dështoi penalltinë, kështu që Dinamo shënoi katër herë dhe fitoi. Ishte një lojë e mirë dhe ne për asnjë çast nuk ishim inferior, por mungoi goli”, ka thënë Dallku të dielën për “Kohën Ditore”. Në këtë ndeshje disa agjentë të skuadrave evropiane kanë vëzhguar Currin e Dallkun, por ky i fundit ngul këmbë se të dy kanë vendosur të qëndrojnë në Vorskla, sidomos tani pasi ekipi do të luajë në Evropë. “E konsideroj një hap prapa transferimin tim në ekipet që aktualisht kanë treguar interesim, pasi ato nuk garojnë në Ligën e Evropës dhe ne, me një fitore automatikisht kalojmë në fazën e grupeve. Njëherësh ky do të jetë sukses i radhës pas triumfit në Kupën e Ukrainës për ekipin tonë, - është shprehur Dallku. - Së bashku me Currin kemi biseduar me kreun e klubit dhe kemi vendosur të qëndrojmë te Vorskla edhe sezonin e ardhshëm. Askush nuk është larguar nga ekipi. Jemi i njëjti grup dhe synojmë të kemi më shumë suksese në edicionin që po vjen”, ka përfunduar mbrojtësi i djathtë. Ndërkaq, media ukrainase ka vlerësuar me nota të larta paraqitjen e dy mbrojtësve shqiptarë, të cilët sipas gazetave lokale, kanë bërë një nga ndeshjet e tyre më të mira me fanellën e Vorsklas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›