Guantanamo, ndryshon plani, disa të dyshuar mund të mbahen gjithmonë
Disa nga të ndaluarit në gjirin Guantanamo, mesa duket do të mbahen përgjithmonë, nëse përbëjnë kërcënim. Lajmin e dha një zyrtar i administratës së Presidentit Obama, i cili foli gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Senatit për Shërbimet e Armatosura. Komentet ngjallën kritika nga demokratët dhe grupet e të drejtave të njeriut. Në qendrën e ndalimit në Guantanamo ndodhen personat e vetëshpallur si organizatorë të sulmeve të 11 shatorit, si dhe të dyshuar të tjerë terroristë. Një nga vendimet e para të nënshkruara nga Barak Obama, sapo ai u zgjodh President, ishte një urdhër ekzekutiv për ta mbyllur burgun deri në janar të vitit 2010. Plani i Presidentit Obama ishte që disa të ndaluar të dilnin para gjykatave federale dhe të tjerët para komisioneve ushtarake, ndërkohë që të tjerë të transferoheshin në vende të tjera. Agjencia VOA citon avokatin e Departamentit të Mbrojtjes, Xheh Xhonson, gjatë seancës së tij dëgjimore ku tha se një grup të ndaluarish do të mbeten pas hekurave të qelive. “Pas verifikimeve do të ketë një kategori njerëzish, për të cilët besojmë se duhet të mbahen për arsye të sigurisë publike dhe sigurisë kombëtare dhe nuk janë njerëz që duhet të dalin patjetër në gjyq”, tha ai duke shtuar se edhe ndonjë i ndaluar që mund të dalë i pafajshëm, mund të mbahet pafundësisht. “Kemi bërë verifikimet dhe disa njerëz përbëjnë kërcënim. Është mendimi ynë se do të kemi mundësinë për mbajtjen e personave të tillë”, sqaroi Xhonson.