E Diel, 1 Nëntor 2026

Solana: Ballkani me probleme që frenojnë integrimin në BE

 

Shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë në Bashkimin Evropian, Havier Solana, nis sot një turne në Ballkan, ku do të vizitojë Kosovën, Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, ndërsa ka theksuar se rajoni ka ende probleme të mëdha. Vizita e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian në disa nga vendet e rajonit, do të jetë e fundit në Ballkan, pasi Solana ka konfirmuar se do largohet nga posti aktual në muajin tetor sepse nuk ka ndër mend të rikandidojë për këtë pozicion. Solana mbajti fjalim në një fondacion në Londër para nisjes në Ballkan, ku tha se, BE-ja ka nevojë për politikë të mirë në rajon. Ai ka pranuar se pas përfundimit të luftërave në Ballkan, Bashkimi Evropian është ballafaquar me dilemën se si t’i afrohet rajonit: me procesin e zgjerimit apo me krijimin e një lloj protektorati. “Ne zgjodhëm zgjerimin dhe kjo ishte strategji e drejtë”, tha shefi i diplomacisë evropiane. Solana theksoi se vendet e rajonit kanë të gjitha ende shumë probleme që i pengojnë ato të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Ndërsa ka përmendur disa fakte, diplomati i lartë evropian tha se 10 vite pas rënies së Milosheviçit, Serbia ende nuk e ka marrëveshjen e stabilizim-asociimit, se Kroacia është në qorrsokak për shkak të konfliktit kufitar me Slloveninë, se Maqedonia është e bllokuar për shkak Athinës (konfliktit shumë-vjeçar për emrin e Republikës), dhe se Bosnjën e Hercegovinën e bllokojnë kalkulimet nacionaliste të vet liderëve të vendit. “Ne kemi investuar shumë për t’i lejuar këto vende që t’i shpëtojnë fuqisë tërheqëse të Bashkimit Evropian”, ka tërhequr vërejtjen Havier Solana, duke iu bërë kështu thirrje liderëve evropianë të kthejnë sërish sytë nga Ballkani dhe procesi i integrimit të tij në familjen evropiane. Sot ai do të jetë në Beograd, ku do të takohet me Presidentin e Serbisë, Boris Tadiç dhe zyrtarë të tjerë të Qeverisë serbe. Vizita e tij po zhvillohet një ditë përpara se Komisioni Evropian (KE), sipas fjalëve të nënkryetarit të tij të ngarkuar për gjyqësi e punë të brendshme Zhak Baro, do të miratojë rekomandimet mbi liberalizimin e vizave për Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Më 22 korrik, Beogradin do ta vizitojë edhe Komisari evropian për zgjerim Olli Rehn.

Jeremiç kundër Kosovës: Do ta lëmë në gjendje të ngrirë 
Ministri i Jashtëm Serb, Vuk Jeremiç, tha se Qeveria e Serbisë ka treguar përparim serioz dhe rezultate më të mira se sa është pritur në të tri prioritetet e politikës së jashtme: mbrojtjen e tërësisë territoriale, përshpejtimin e procesit të integrimit në BE dhe vendosjen e marrëdhënieve më të mira në rajon. Ai ka theksuar, se Kosova vazhdon të jetë sfida më e ndërlikuar e politikës së jashtme serbe. “Edhe pse Serbia nuk është vend me kapacitet global, ajo është gjetur në një situatë që ka udhëhequr garën globale me disa shtete më me ndikim në botë”, tha ai. Ministri i Jashtëm serb shprehu shpresën se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të gjykojë në favor të Serbisë mbi vlerësimin e Pavarësisë së Kosovës, (d.m.th. do ta quajë të paligjshme shpalljen e pavarësisë dhe njohjet e saj), dhe se pas kësaj ky shtet do të ketë rastin të stopojë numrin e njohjeve dhe të pamundësojë aplikimin e Prishtinës për anëtarësim në cilëndo organizatë ndërkombëtare. “Me fjalë tjera do ta lëmë Prishtinën në gjendje të pa definuar dhe të ngrirë, nga e cila mund të dalë vetëm duke negociuar me Beogradin”, ka deklaruar Jeremiç për mediat serbe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›