Taçi gati të blejë Bolonjën
Rezart Taçi, presidenti i kompanisë së karburanteve, “Taçi Oil” është gati të blejë klubin e Bolonjës. Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane. Sipas të përditshmes sportive “Corriere dello Sport”, biznesmeni shqiptar ka intensifikuar gjatë ditëve të fundit bisedimet me drejtuesit e skuadrës italiane. Ishte muaji tetor i vitit të kaluar, Milani kishte zbarkuar në Tiranë për të luajtur një miqësore, kur doli në shesh një sekret, që kishte lidhje me Bolonjën. E pohuan vetë drejtuesi i kompanisë “Taçi Oil”, Rezart Taçi dhe motra e tij Anita. “Dëshironim të blinim Bolonjën dhe ishim gati të bënim gjithçka për ta pasur këtë klub, por presidenti i atëhershëm i skuadrës preferoi të bënte zgjedhje të tjera”. Presidenti i atëhershëm, Alfredo Kacola, në fakt kishte vendosur t’ia shiste shoqërinë Takopinës. “Sigurisht, nëse neve do të na jepej sërish rasti, do të ishim gati të bëheshim pjesë e projekteve futbollistike në Itali”, ka shtuar Taçi.