E Diel, 1 Nëntor 2026

Tieri Henri del “tepër” te Barca



Tieri Henri mund të bëjë një rikthim sensacional në Premier League pasi Barcelona zbuloi se ai është një “tepricë” në skuadrën katalanase. Ndërkombëtari francez dështoi në drejtimin e Pep Guardiola, edhe pse ai ka shënuar 45 gola në 91 ndeshje gjatë kohës së tij në “Kamp Nou”. Henri u transferua në Spanjë për një shumë prej 16 milionë sterlina nga Arsenali tre vjet më parë pasi kishte vendosur një rekord klubi te “Topçinjtë” londinezë, 233 gola gjatë tetë sezoneve të tij të lavdishme në Londër. Por tani francezi e ka gjetur veten si alternativa e katërt në sulmin e Barçës pas Lionel Mesi, Zlatan Ibrahimovic dhe Pedro Rodriguez, duke shënuar vetëm katër gola në 19 ndeshje kampionati këtë sezon. Presidenti i Barcelonës, Johan Laporta, skuadra e të cilit është duke fituar Primera Division, nuk e përjashtoi dhënien e pëlqimit nëse Henri do të kërkojë të largohet. Laporta tha: “Ai ka dhe një vit kontratë me ne, por pas një viti të pakënaqshëm unë nuk e di se çfarë do të bëjë ai. Në Barcelonë ne i respektojmë kontratat, por ai ndoshta nuk ka bërë aq mirë sa do të dëshironte. Megjithatë, unë them se ai mund të largohet gjatë merkatos së verës nëse ai dëshiron”. Manchester City është i lidhur me një lëvizje për 32-vjeçarin, ndërkohë që dhe bosi i Arsenalit, Arsen Venger gjithashtu mbetet një admirues i madh një admirues i madh i talentit të ish-sulmuesit të tij të vjetër.

Bajerni në “zi”, Riberi humb finalen

Përtej problemeve të tij me drejtësinë në lidhje me skandalin seksual me minorenen, tashmë të famshme në të gjithë botën, Zahia Dehar, Frenk Riberi po përjeton një fundsezoni katastrofik edhe në planin sportiv. Komisioni i Apelit të UEFA-s, në fakt, konfirmoi pezullimin e tij për finalen e Ligës së Kampioneve. Mesfushori i Bajernit të Munihut ishte përjashtuar edhe nga ndeshja gjysmëfinale e kthimit kundër Lionit në Ligën e Kampioneve Riberi, i cili ishte ndëshkuar me karton të kuq pasi kishte goditur me dashje kaviljen e sulmuesit argjentinas të Lyon, Lisandro Lopez, ishte pezulluar me tri ndeshje nga Komisioni Disiplinor i UEFA. Ai kishte shlyer ndërkohë vetëm një nga tri ndeshjet e pezulluara në takimin e kthimit kundër Lyon (të fituar 3-0 kundër Bajern). Klubi bavarez e kishte gjykuar kartonin e kuq si “tepër të rëndë” dhe kishte apeluar vendimin në instancat juridike të UEFA-s, për të bërë të mundur uljen e dënimit me synimin që Riberi të ishte i gatshëm për finalen e 22 majit në Madrid kundër Interit. Drejtori i Përgjithshëm i Bajernit të Munihut, Karl-Heinz Rumenige, tha se Bajerni po studionte mundësinë për të shqyrtuar apelimin pranë Gjykatës Tribunale Sportive (TAS) javën e ardhshme.

Nuk e duan më as
në qytetin e tij

Frenk Riberi po përjeton momentet më të vështira në jetën e tij. Në qytetin e tij të lindjes në Francë, Bulonjë-sur-Mer (47 mijë banorë), ishte planifikuar nga Bashkia e qytetit të vendosej një billboard stërmadh të tij, në përmasat 270x30 metra, madje më i madh se ai i Zinedin Zidan në Marsejë. Posteri gjigant ishte sponzorizuar nga kompania “Nike” dhe do të vendosej në një skelet hekuri. Por, tashmë bashkia e qytetit e ka shtyrë vendosjen e posterit, duke shtuar zërat për anulimin e tij.

6 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›