E Diel, 1 Nëntor 2026

“Damiano Toshi më shfrytëzoi si prostitutë në Athinë e Bruksel”

• TIRANE – Gjykata e Krimeve të Rënda dëgjoi dje dëshminë e një 26-vjeçareje nga Tirana, e shfrytëzuar si prostitutë nga Damiano Toshi në Athinë dhe Bruksel.Para trupit gjykues, vajza pohoi se është trafikuar prej Toshit fillimisht në Greqi, prej andej në Itali derisa ka përfunduar në Belgjikë, ku është shfrytëzuar si prostitutë. Ajo tha se Toshi ushtronte dhunë fizike ndaj saj, duke e detyruar të prostituonte në rrugë, ndërsa ai i merrte të gjithë fitimin. Pas arrestimit të tij ajo u kap nga policia belge dhe u riatdhesua në Tiranë, ku bëri edhe denoncimin në ngarkim të 24-vjeçarit korçar. Aktualisht vajza mbahet në një qendër rehabilitimi të vajzave të trafikuara, ndërsa pritet që më vonë të rikthehet në familjen e saj. Pas denoncimit të 26-vjeçares kryeqytetase, Toshit iu shtua edhe një akuzë tjetër, ndërsa më parë kishte marrë dy dënime të përjetshme nga Gjykata e Elbasanit për vrasjen e dy basketbollistëve, Sokol Jahollari dhe Rafael Riza. Këtë vendim më pas e ka lënë në fuqi Gjykata e Apelit e Durrësit, e cila gjithashtu e gjykoi në mungesë dosjen e të riut korçar. Në verë të vitit të kaluar, Toshi u arrestua në Frankfurt të Gjermanisë dhe pesë muaj më parë u soll me pranga në Tiranë, për të marrë pjesë në gjykimin e tij te Krimet e Rënda për akuzën e trafikut. Procesi ndaj Toshit ka nisur në këtë gjykatë prej një viti e gjysmë dhe ka mbërritur në fazën e pyetjes së dëshmitarëve, ndërsa vetë i pandehuri nuk ka marrë pjesë nëpër seancat gjyqësore. Fillimisht ai nuk ndodhej në Shqipëri, ndërsa tani refuzon të paraqitet, duke ngarkuar avokatin ta përfaqësojë.                 fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›