Zbulohet baza e falsifikimit të patentave te “Rruga e Kavajës”
• TIRANE - Dy persona u arrestuan, një tjetër është çuar për ndjekje penale në gjendje të lirë pas një aksioni të policisë, që goditi një bazë të falsifikimit të dokumenteve në “Rrugën e Kavajës” në Tiranë.Gjatë aksionit policia sekuestroi vula të ambasadës greke, Ministrisë së Jashtme e Arsimit dhe Drejtorisë së Patentave si dhe pajisje të sofistikuara falsifikimesh. Lajmi konfirmohet nga policia e Tiranës, e cila ka arrestuar Mehmet Suljan, 46 vjeç dhe Ylber Huqin, 56 vjeç, gjatë operacionit të koduar me emrin “Kafazi i Pëllumbave”. Të akuzuarit janë ndaluar nga oficerët dhe agjentët e antikrimit ekonomik në kryeqytet, të mbështetur nga tri skuadra të patrullës së përgjithshme. Mehmet Sula dhe Ylber Huqi janë ndaluar në “Rrugën e Kavajës”, ku kishin marrë një ambient me qira dhe përgatisnin dokumente të ndryshme të falsifikuara. Ylber Huqi është arrestuar edhe më parë nga Zyra e Antikrimit Ekonomik në kryeqytet për të njëjtën veprimtari kriminale. Operacioni ka nisur pasditen e të enjtes, kur agjentët e policisë së kryeqytetit kanë nisur kontrollin në “Rrugën e Kavajës”, ndërsa disa të tjerë ishin instaluar në pozicione të tjera për të vëzhguar të dyshuarit. Huqi dhe Mehmeti, si dhe një tjetër person i shoqëruar në polici, janë parë prej agjentëve të hynin në një rrugicë në “Rrugën e Kavajës”. Kaq është dashur dhe pas lokalizimit të tyre agjentët kanë nisur veprimet operacionale. I pari është prangosur Ylber Huqi, me precedentë penalë të mëparshëm. Blutë i kanë kapur atij një certifikatë false, që sipas burimeve do t’ia dorëzonte një klienti. Menjëherë pas kësaj blutë kanë mbërritur në ambientin ku qëndronin personat dhe aty kanë bllokuar “një mal” me dokumente, vula dhe materiale të falsifikuara dhe të gatshme për falsifikim. Bashkëpunëtorit të Huqit, Mehmet Sulës, policia i ka kapur një fotokopje të një dëftese dhe një certifikatë false që po përgatitej të falsifikohej. Në ambientet që mbaheshin me qira, policia ka sekuestruar rreth 50 vula të institucioneve të ndryshme shtetërore private dhe përfaqësive të huaja diplomatike. Sipas policisë, disa nga vulat e gjetura i përkisnin ambasadës greke në Tiranë, Ministrisë së Jashtme, Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Punës, Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor dhe komunës Kashar. d.b