Di Carlo: Depolitizoni Prokurorinë
• Pavarësia e Prokurorisë nga politika ishte në qendër të bisedimeve gjatë takimit që Kryeprokurorja shqiptare Ina Rama zhvilloi me zv.ndihmës Sekretaren e Shtetit, Rosmary Di Carlo.Trazhgim Sokolaj “Depolitizimi i institucionit të Prokurorisë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, sipas burimeve zyrtare kanë qenë argumentet të cilave u është kushtuar rëndësi e veçantë gjatë takimit të Ina Ramës me zyrtaren e lartë të Departamentit të Shtetit të SHBA-së. Lajmi konfirmohet nga zyra e shtypit e Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë, sipas të cilës, Ina Rama u takua me zv.ndihmës Sekretaren e Shtetit, Di Carlo, në zyrën për çështjet e Evropës dhe të Euro-Azisë në Departamentin e Shtetit. “Znj. Di Carlo siguroi mbështetjen që do t’i japë Departamenti i Shtetit punës së Prokurorisë shqiptare, duke theksuar se suksesi i këtij institucioni dhe i drejtueses së tij, përbëjnë kyçin për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”, thanë burimet zyrtare. Sipas tyre, Ina Rama diskutoi me zyrtaren e lartë amerikane edhe mbi reformën në Prokurorinë shqiptare. Krimi i organizuarTakimet e Kryeprokurores shqiptare në SHBA kanë vijuar me një tryezë të rrumbullakët në Departamentin e Shtetit. Aty Ina Rama zhvilloi një bisedë me Elizabeth Verville, zv. ndihmës sekretare e Shtetit, në zyrën për luftimin e krimit të organizuar dhe të trafikimit të narkotikëve. Zyrtarja amerikane drejtoi një tryezë të rrumbullakët, në të cilën merrnin pjesë funksionarë të sektorëve të ndryshëm të Departamentit të Shtetit që merren me çështjet e Evropës, të integrimeve në strukturat euro-atlantike si dhe luftimin e krimit të organizuar. Shefja e Zyrës së Luftës Kundër krimit të Organizuar dhe Narkotikëve theksoi se, për shkak të pozitës së saj gjeografike në Evropë, Shqipëria duhet të jetë pjesëtare aktive në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimeve ndërkombëtare. “Gjatë tryezës së rrumbullakët u ra dakord edhe për thellimin e bashkëpunimit mes organeve shqiptare dhe atyre amerikane të akuzës dhe të drejtësisë nisur prej faktit se, fatkeqësisht edhe në SHBA janë konstatuar raste të krimit organizuar, në të cilat kanë qenë të implikuar edhe shtetas shqiptarë”, thanë më tej burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë. Sipas tyre, Kryeprokurorja Ina Rama mori mbështetje për luftimin e korrupsionit në Shqipëri si dhe për përpilimin e hapave dhe plotësimin e nevojave konkrete që mund të ndërmarrë organi i akuzës në këtë drejtim.Krimi i organizuarGjatë takimeve që Ina Rama ka zhvilluar me zyrtarët amerikanë në Zyrën e Luftës Kundër Krimit të organizuar dhe Trafikut të Narkotikëve, janë trajtuar raste të implikimit të shtetasve shqiptarë në veprimtari të krimit të organizuar në SHBA. Trafiku i narkotikëveZyrtarët amerikanë gjatë takimeve dhe bisedave që kanë pasur me Kryeprokuroren Ina Rama, kanë kërkuar që Shqipëria të jetë aktive në luftën kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar për shkak të pozitës gjeografike të saj mes Lindjes dhe Perëndimit të Evropës.