Damiano Toshi ndryshon avokat në sallën e gjyqit
Vrasësi i basketbollistëve të ekipit të Skënderbeut të Korçës, që po gjykohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, për akuzën e trafikut të prostitucionit, kërkoi në seancën e djeshme që të përfaqësohet nga avokati Riza Icka, pas dorëheqjes së avokatit të mëparshëm. Damiano Toshi është i dënuar me dy burgime të përjetshme nga Gjykata e Korçës dhe e Elbasanit për veprat penale të "vrasjes në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave" dhe "armëmbajtje pa leje", u ekstradua pak javë më parë nga Gjermania.
Mungojnë avokatët, shtyhet procesi për bandën e Durrësit
Procesi në ngarkim bandës së Durrësit, që pritej të zhvillohej dje, është shtyrë për javën e ardhshme për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës të 4 prej 17-të të pandehurve të kësaj çështjeje. Vendimi u mor nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë, gjatë seancës së djeshme, ku pritej të niste gjykimi për të akuzuarit. Dosja në ngarkim të të pandehurve të bandës së Durrësit mbërriti disa muaj më parë në gjykatë, por vetëm një seancë më parë u bë i mundur leximi i kërkesës për gjykim nga ana e përfaqësuesve të akuzës. Në seancë pritej të niste pyetja e dëshmitarëve të parë. Organi i Akuzës ka kërkuar 193 persona për të dëshmuar në këtë proces, ku po gjykohen 17 të pandehur. Ndër emrat e njohur që do të thirren me statusin e dëshmitarit do të jenë Fjorentina Kotori, Leonard Murataj, Erald Bajramaj etj
Vlorë, operacioni, ndalohen pesë trafikantë
Policia e Vlorës ndaloi dje pesë pjesëtarë të një grupi që trafikonte klandestinë në drejtim të Greqisë dhe shpalli në kërkim dy persona të tjerë, që dyshohet të jenë bashkëpunëtorë. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Vlorës thanë se Sokol Ahmetaj, 22 vjeç, Agim Bajaj, 55 vjeç, Nase Danga, 36 vjeç, Sulejman Mulla, 49 vjeç dhe Florenc Mulla, 22 vjeç, u ndaluan në qytetin e Sarandës, në kuadrin e operacionit të koduar "Rruga e Re", realizuar në bashkëpunim me policinë dhe Prokurorisë së rrethit të Vlorës. Gjithashtu, sipas burimeve, u shpallën në kërkim edhe dy persona të tjerë, të cilët dyshohet të jenë bashkëpunëtorë. Janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale edhe një sasi aparatesh celularë, si dhe dy automjete, të cilat dyshohet se përdoreshin për transportin e klandestinëve nga qyteti i Sarandës në drejtim të kufirit grek.
25 Prill 2008