Patentat, në Prokurori 100 dosje për abuzime
Hetimet e nisura nga Prokuroria e Tiranës mbi abuzimet me dhënien e lejeve të drejtimit për automjetet (patenta), kanë nxjerrë në pah falsifikimin e shumë dokumenteve zyrtare. Hetues në Njësinë Antikorrupsion "Task Force" në Prokurorinë e Tiranës, bënë të ditur dje, se 100 dosje kursantësh të autoshkollës "Univers Vip" kanë rezultuar të falsifikuara. Sipas tyre, ekzaminimet e këtyre dosjeve kanë provuar falsifikimin e të dhënave të personave të interesuar për patenta, si vendbanimet dhe arsimimi i tyre.
Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundon hetimet, dosja shkon për gjykim
Prokuroria e Krimeve të Rënda u ka dhënë fund hetimeve mbi drogën e sekuestruar afro një vit më parë në autobusin e linjës ndërkombëtare Sarandë- Athinë, bënë të ditur për ATSH-në burime nga kjo prokurori. Dje dërgoi për shqyrtim gjyqësor dosjen penale në ngarkim të të pandehurit Rikard Murtaj, 36 vjeç, nga Saranda, i cili akuzohet për veprën penale të "trafikut të lëndëve narkotike". Murtaj u arrestua në maj të vitit të kaluar gjatë operacionit të koduar "Stuhia e Detit", i organizuar nga Policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
25 Prill 2008