E Diel, 1 Nëntor 2026

Damir Fazlliç vihet në dispozicion të akteve të përkthyera në anglisht



Biznesmeni serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, u paraqit sërish dje në Prokurorinë e Tiranës për të vijuar dëshminë e tij, si dhe për t’u vënë në dispozicion të akteve të marrjes në pyetje, të përkthyera në gjuhën angleze. Për rreth 2 orë, biznesmeni i shoqëruar nga dy avokatët e tij, Genc Gjokutaj e Ibrahim Lahi, u është përgjigjur pyetjeve të dy prokurorëve që po e hetojnë për veprën penale “pastrim parash”. Më pas, procesverbalet e mbajtura gjatë deklarimeve të lira dhënë dy ditë më parë dhe dje, janë përgatitur në gjuhën angleze dhe i janë vënë në dispozicion personit në hetim, Fazlliç, duke i dhënë fund edhe marrjes në pyetje nga ana e prokurorëve. Më pas, Fazlliç ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Tiranës dhe nuk ka preferuar t’u përgjigjet gazetarëve të pranishëm lidhur me marrjen në pyetje, veçse ka sqaruar se “prokurorët më kanë vënë në dispozicion aktet e marrjes në pyetje të përkthyera”. Të kontaktuar edhe gjatë ditës së djeshme, prokurorët e Njësisë Task-Forcë, Dritan Rreshka dhe Besnik Cani, janë shprehur se prania e Damir Fazlliç në Prokurori kishte të bënte me vazhdimin e seancës së marrjes në pyetje lidhur me hetimet që janë duke u bërë në adresë të tij. Gjithashtu, prokurorët u shprehën se dje, përveç vazhdimit të marrjes në pyetje, biznesmeni nën hetim u vu në dispozicion me procesverbalet e mbajtura gjatë këtyre dy ditëve, të përkthyera një kopje në anglisht dhe një kopje në shqip. Serbo-boshnjaku u paraqit në Prokurorinë e Tiranës në orët e paradites, përkatësisht rreth orës 10:00, për t’u larguar prej andej pas dy orësh, në orën 12:00. Kjo ka qenë hera e parë që biznesmeni nën hetim nga drejtësia shqiptare, Damir Fazlliç, është përballur me prokurorët shqiptarë. Fazlliç i është përgjigjur thirrjes së tyre për të dëshmuar lidhur me akuzën për “pastrim parash” dhe hetimet që po kryhen për të, thirrje e realizuar përmes letër-porosisë së dërguar në Angli nga Ministria e Drejtësisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›