E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet në mes të Korçës me 7 plumba

EKZEKUTIMI/ Avni Hoxha nga Pogradeci u qëllua pak metra larg shtëpisë së të bijës, në makinën e tij

KORÇË- Ekzekutohet me 7 plumba një shtetas nga Pogradeci. Vrasja e tipit mafioz ka ndodhur në mes të Korçës kurse autorët kanë qenë të pamaskuar dhe pa makinë. Vrasësit dyshohet ta kenë ndjekur viktimën prej disa kohësh duke mbajtur nën kontroll të plotë lëvizjet e tij, teksa kanë realizuar krimin disa metra larg shtëpisë së të bijës, që jetonte me qira.

Banorët e lagjes ku ka ndodhur vrasja janë tmerruar, ndërsa viktima ka mbetur i vdekur në vend nga plumbat e shumtë që ka marrë në trup. Ndërkaq, policia ka grumbulluar disa prova të rëndësishme shkencore që pritet të çojnë drejt identifikimit të autorëve. Ekzekutimi me 7 plumba i një 54-vjeçari në qytetin e Korçës është krimi i dytë i ndodhur gjatë këtij viti në këtë qytet.
Vrasja


Duke iu referuar të dhënave të policisë lokale, vrasja e tipit mafioz është regjistruar rreth orës 15:00 në lagjen 2 të qytetit të Korçës, ndërsa vrasësit dyshohet të kenë qenë dy persona që i kanë zënë pritë 54-vjeçarit disa metra larg shtëpisë së të bijës.

Avni Hoxha, banor i qytetit të Pogradecit, ka udhëtuar drejt Korçës duke çuar vajzën e tij të martuar në shtëpinë e saj. Kjo e fundit prej disa kohësh kishte marrë një shtëpi me qira në lagjen 2. Pasi ka lënë vajzën para shtëpisë, Hoxha nuk ka hyrë brenda, por është larguar, duke pretenduar se do të takonte dikë në Korçë.


Në mometin kur ka marrë një kthesë, vetëm 100 metra larg shtëpisë, dy persona që i kishin zënë pritë e kanë qëlluar me armë duke e lënë të vdekur në vend. Banorët e lagjes kanë pohuar për policinë se kanë dëgjuar të shtëna. Një dyqan që ndodhej vetëm një metër larg vendit të krimit ka qenë i mbyllur në kohën e ekzekutimit të pogradecarit duke pakësuar kështu dëshmitarët.


Hetimi


Autorët që dyshohet të jenë dy persona, kanë qenë në këmbë, ndërsa e kanë qëlluar plot shtatë herë duke lënë në vendin e ngjarjes dhe shtatë gëzhoja, të cilat do të analizohen në laborator për të mësuar se nga çfarë arme zjarri kanë dalë.


54-vjeçari, banor i fshatit Starovë në rrethin e Pogradecit, ka marrë shumicën e plumbave në kokë. Ai udhëtonte me mjetin e tij tip "Golf" kur është qëlluar për vdekje, ndërsa makina ka humbur kontrollin kur ai është qëlluar duke u përplasur pas një muri.


Gjithsesi, policia dyshon se janë disa okularë që kanë parë ngjarjen, ndërsa rruga ku ka ndodhur ekzekutimi është boshatisur e gjitha nga terrori që kanë pësuar banorët e saj të llahtarisur.


Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ndërkohë që nuk ka një të dhënë për autorët e këtij krimi. Nuk dihet se kush ishin këmbësorët që vranë pogradecarin, por dyshohet nga hetimet paraprake që ata i ka pritur një makinë në një tjetër rrugë të lagjes në fjalë.


Pistat


Policia e Korçës është duke hetuar për disa pista, ku kryesorja është ajo e hakmarrjes. Sipas burimeve, Avni Hoxha dyshohet të jetë vrarë për disa konflikte të hershme të tij. Pista kryesore është ajo e hakmarrjes por nuk përjashtohet dhe përfshirja e mundshme i tij në një trafik droge.


Duke iu referuar të njëjtave burimeve të policisë, nuk përjashtohet mundësia e përfshirjes së viktimës në afera të tjera të dyshimta, ndërsa ai ka qenë i dënuar para viteve '90 për vrasje.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›