E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të gjitha ndryshimet në ligjin për dëmshpërblimin e të përndjekurve



Ministria e Drejtësisë ka mbështetur dje nismën që ka ndërmarrë Kuvendi i Shqipërisë për miratimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist””. Deri në datën 19 dhjetor 2008, pranë Ministrisë së Drejtësisë janë paraqitur 17.579 kërkesa për dëmshpërblim financiar bazuar në këtë ligj, të cilat janë trajtuar dhe po trajtohen nga Ministria e Drejtësisë. Ministria e Drejtësisë, si autoritet i njohur nga ligji për trajtimin e kërkesave në zbatim të ligjit “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist” ka përfunduar trajtimin në mënyrë të suksesshme të mbi 1.400 kërkesave, të miratuara edhe nga Këshilli i Ministrave dhe për të cilat do të shpërndahet dëmshpërblimi financiar. Ministria e Drejtësisë mbështet projektligjin e propozuar dhe jep kontributin e saj për përmirësimin e këtij projekti. Ky projekt synon:

1. Zgjerimin e listës së veprave penale politike të përcaktuara në nenin 5 të ligjit aktual. Në Ministrinë e Drejtësisë janë paraqitur rreth 50 kërkesa nga ish-të dënuarit për veprat penale që propozohen të shtohen dhe ky ndryshim është pozitiv për këtë kategori.

2. Zgjeron rrethin e përfituesve të dëmshpërblimit financiar të përcaktuar në nenin 8 të ligjit aktual, duke përfshirë motrën, vëllain, nipin apo mbesën e ish-të dënuarit politik. Në Ministrisë së Drejtësisë janë paraqitur rreth 460 kërkesa, nga shtetas me këtë lidhje me ish-të dënuarin (motra, vëllai, nipi apo mbesa) dhe ky ndryshim është pozitiv për ta.

3. Shtyn afatin e paraqitjes së kërkesave deri në datën 1 korrik 2009, afat i cili sipas nenit 19 të ligjit aktual ka përfunduar në datën 19/12/2008. Në Ministrinë e Drejtësisë janë paraqitur, pas afatit të përcaktuar në ligj 19/12/2008 rreth 665 kërkesa, me tendencë në rritje. Ky ndryshim i jep të drejtën e përftimit të dëmshpërblimit financiar edhe këtyre aplikuesve.

4. Gjithashtu, Ministria e Drejtësisë sugjeron të shtohet nëpërmjet kësaj nisme, situata e të ekzekutuarve pa gjyq, duke përfshirë dëmshpërblimin financiar edhe për këtë kategori. Për këtë duhet shfrytëzuar përmbajtja e nenit 2 të ligjit nr. 9831, që lejon ndërmarrjen e nismave të njëkohshme ose të mëvonshme, ligjore apo administrative, për të cilat i shërbejnë rivendosjes së drejtësisë dhe dinjitetit shoqëror të kësaj shtrese apo krijimit të kushteve favorizuese, për riintegrimin shoqëror të tyre.

5. Së fundmi, Ministria e Drejtësisë sugjeron të saktësohet nëpërmjet kësaj nisme dokumentacioni provues për të internuarit në kampe me rrethim me tela me gjemba. Sugjerohet që dokumentacioni i kërkuar nga ligji aktual “vendim administrativ politik internimi që tregon edhe veprën penale politike”, të thjeshtohet duke u zëvendësuar me “akt administrativ apo dokument zyrtar që provon internimin në kamp me rrethim me tela me gjemba”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›