Ministri Britanik: Na jepni emrat e të kërkuarve
Vernon Koaker, Ministri i Brendshëm britanik, premton ndihmë në ekstradimin e të kërkuarve nga drejtësia shqitare
Pak javë pas deklarimit të Prençit se 100 të kërkuar nga Shqipëria fshihen në Britani, anëtari i kabinetit të Branun mbërrin në Tiranë
TIRANE- Vetëm pak ditë pas alarmit të mediave Britanike se jo pak por afërsisht 100 persona të kërkuar nga drejtësia shqiptare strehoheshin në këtë shtet, Ministri i Brendshëm Britanik, Vernon Koker (Vernon Coaker), braktisi zyrën e tij në Londër për të mbërritur në Tiranë. Koker mbërriti në Tiranë të Hënën pasdite, por vetëm ditën e djeshme ai kreu disa nga takimet e parashikara.
Zyrtarisht axhenda e tij ka pasur prezantimin e raport progresit PAMECA III, por qëllimi jo zyrtar i takimit duket se kanë qenë takimet me homologun e tij Shqiptar Bujar Nishani dhe me kreun e Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi.
Madje pikërisht për të kërkuarit e autoriteteve shqiptare, Koaker ka premtuar ndihmën e tij. "Do të bëjmë të pamundurën që personat e kërkuar nga ana Juaj në Shqipëri, të mund të arrestohen dhe më pas të ekstradohen".
Kështu pohoi Vernon Koaker, Ministri i Brendshëm britanik, gjatë takimit të tij me kreun e Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, gjatë paradites së djeshme. Të kërkuarit e drejtësisë shqiptare që akuzohen për krime të rënda dhe që janë identifikuar se strehohen në territorin ishullor britanik, sipas burimeve ka qenë shqetësimi kryesor i bisedës
Të kërkuarit
Sipas deklaratës së Prençit, për tabloidin britanik "The Sun", të dhënë rreth dy javë më parë, në Angli ishin identifikuar të jetonin rreth 100 shqiptarë. Ndërkaq dje kjo shifër është zyrtarizuar të ishte 103 persona të kërkuar nga drejtësia Shqiptare. Kryepolici shqiptar, Ahmet Prençi, pohoi:
Fatkeqësisht në Britaninë e Madhe jetojnë disa shtetas shqiptarë të kërkuar nga ana jonë për vepra të ndryshme penale.
Me policinë kemi pasur bashkëpunim, por në disa raste nga ana e gjykatave është refuzuar ekstradimi i tyre drejt vendit tonë. Ne jemi të hapur për shkëmbim informacioni me qëllim ekstradimin e tyre drejt vendit tonë",- tha Prençi.
Koaker, që në qeverinë e Gordon Braun, mbulon Krimin, Rendin, Policinë dhe Sigurinë Publike, tha se jo të gjithë shqiptarët që jetonin në vendin e tij, ishin me precedentë penalë. "Ne jemi të gatshëm për arrestimin e personave të kërkuar, dhe mirëpresim çdo lloj informacioni që mund të keni për shtetasit e kërkuar.
Unë ju premtoj se do të bëj të pamundurën për t'i ekstraduar të kërkuarit për në vendin tuaj",- tha më tej anëtari i kabinetit të Braun. Anglezi kërkoi nga kreu i bluve, që të shkëmbeheshin të dhënat mes homologëve, për çdo të kërkuar me qëllim kapjen e tyre dhe ekstradimin drejt Shqipërisë.
Koker: Policia, larg politikës
"Shumë e rëndësishme në punën e policisë është ndarja e saj nga politika. Gjithmonë policia duhet të jetë e pavarur dhe të bëjë punën e saj",- deklaroi Vernon Koker, gjatë takimit me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi.
Më pas, Ministri i Brendshëm i Anglisë u takua me homologun e tij Shqiptar, Bujar Nishanin. "Në prag të anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO, kemi përgjegjësi dhe objektiva të reja, ndaj jemi fokusuar mjaft në përmirësimin e legjislacionit, rritjen e profesionalizmit të strukturave policore dhe trajnimin e vazhdueshëm policor",- u shpreh Nishani.
Ministri i Brendshëm, Nishani, siguroi ministrin Koker se agjencitë ligjzbatuese britanike do të gjejnë në Shqipëri partnerë seriozë dhe të gatshëm për të ofruar të gjitha kapacitetet dhe bashkëpunimin e nevojshëm.
"Ne nxisim bashkëpunimin rajonal dhe vlerësojmë rolin dhe kontributin e Shqipërisë në këtë drejtim. Dëshirojmë të thellojmë bashkëpunimin dhe të ndihmojmë në luftën dhe përpjekjet tuaja kundër të gjitha veprimtarive kriminale dhe trafiqeve të paligjshme",- u shpreh Koker.
------------------------------------------------------------------------------------------
Prençi: Faleminderit për ndihmën
Kreu i Policisë Shqiptare, Ahmet Prençi, nuk ka hezituar të falenderojë Ministrin e Brendshëm të Anglisë për investimet që ata kanë bërë si dhe për ndihmën e ofruar.
"Bashkëpunimi Policor deri tani me homologët Britanikë është në nivele shumë të mira. Vlerësoi me nota maksimale ndihmën që na ka ofruar dhe ofron policia juaj në fusha të ndryshme. Ne ju garantojmë seriozitet dhe besnikëri në misionin tonë të përbashkët, në luftën kudër krimit në përgjithësi dhe në veçanti kundër terrorizmit, krimit të organizuar, trafikut të paligjshëm ndërkufitar etj,"- u shpreh Prençi.
"Ndihmën që ka dhënë dhe jep Mbretëria e Bashkuar e ndiejmë çdo ditë me praninë e ekspertëve të saj pranë Policisë së Shtetit si dhe me projektet që po implementohen falë ndihmës së dhënë nga ju.
Në 10 vitet e fundit nga Qeveria Britanike janë investuar për policisë shqiptare rreth 4 milionë euro, të cilat janë bërë në fusha delikate dhe të rëndësishme, si në policinë shkencore, në trupën e operacioneve speciale etj.",- tha Prençi. Ndërsa Ministri i Brendshëm i Anglisë, Vernon Koker, premtoi për policinë Shqiptare asistencë të vazhdueshme.
------------------------------------------------------------------------
Nishani: Krimi i organizuar, sfida jonë
Pas takimeve që kreu i dikasterit të brendshëm britanik, pati me kreun e Policisë, mbërriti në zyrën e homologut të tij shqiptar Bujar Nishani.
Sipas Nishanit, sfida kryesore e Shqipërisë, ka qenë ajo në drejtim të luftës ndaj krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe korrupsionit, dhe forcimi i sigurisë në vend.
"Gjatë kësaj kohe, falë bashkëpunimit me agjencitë e zbatimit të ligjit në vendet perëndimore, me Europol-in dhe Interpol-in, janë ekstraduar dhe vënë para drejtësisë rreth 250 persona",- u shpreh Nishani duke vlerësuar rritjen e profesionalizmit të Policisë së Shtetit dhe luftën me tolerancë zero kundër të gjitha veprimtarive kriminale.
Nishani njohu homologun e tij Anglez edhe me rezultatet e luftës kundër të gjitha trafiqeve të paligjshme, menaxhimin e integruar të kufirit dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkufitar me vendet fqinje, si edhe me dokumentet e reja të identitetit, letërnjoftimin elektronik dhe pasaportën biometrike, si dhe me fillimin e procesit për pajisjen e qytetarëve me këto dokumente.
"Progresi juaj, i shërben dhe është një tregues pozitiv për rajonin, Bashkimin Europian dhe Mbretërinë e Bashkuar",- u shpreh Ministri Vernon Koker.
PAMECA III, mbush 6 muaj, prezantohet raport progresi
Analizohen arritjet e projektit "PAMECA III", për periudhën gjashtë mujore. Takimi u zhvillua ditën e djeshme ku morën pjesë ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, Aneil Sing, përfaqësues i delegacionit të KE-së në Tiranë, ministri britanik për Krimin dhe Sigurinë, Vernon Koker dhe ambasadori austriak, Klaus Derkowicz. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, deklaroi se bazuar mbi progres raportin e fazës raportuese, arritje më e dukshme e kësaj faze të projektit është përmirësimi i punës së Policisë së Shtetit për të mundësuar menaxhimin e burimeve njerëzore financiare dhe teknike, asistenca për grupet e punës për Ligjin mbi Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, asistenca për të gjitha grupet e punës për Aktet Normative që rrjedhin nga Ligji për Policinë e Shtetit etj.
"Aktivitetet lidhur me Luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit brenda Policisë së Shtetit evidentojnë nëpërmjet rekomandimeve të Raportit të Progresit nevojën e një përqasjeje të re.
Në këtë fazë është përgatitur një dokument i përbashkët ndërmjet Ofruesve Ndërkombëtarë të Asistencës dhe ndërtuar Protokolli i Grupit të Punës" u shpreh Nishani.
"Duke punuar ngushtësisht dhe duke mbajtur hapur dialogun me përfituesin dhe partnerët do të bëhet e mundur që PAMECA III të plotësojë nevojat e Policisë së Shtetit dhe objektivat e gjera të Qeverisë Shqiptare" deklaroi ministri Nishani.
Ministri i Shtetit i Mbretërisë së Bashkuar për Policinë, Krimin dhe Sigurinë Vernon Koker shprehur kënaqësinë që Mbretëria e Bashkuar në bashkëpunim me Austrinë drejtojnë këtë projekt për të asistuar autoritetet shqiptare.
"Tani që PAMECA III ka gjashtë muaj që po funksionon, jam i kënaqur kur shikoj se ekipi po punon shumë shpejt për të implementuar programin shumë ambicioz të punës",- u shpreh Ministri Koker. Ndërkohë, Përfaqësuesi i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Aneil Singh dhe ambasadori austriak Klaus Derkowicz, theksuan nevojën për të zhvilluar më tej procesin e menaxhimit, përgjegjshmërinë dhe transparencën në vendimmarrje në linjë me legjislacionin dhe procedurat e rëna dakord.
Denoncojnë burrat, policia merr në mbrojtje gratë
Policia merr në mbrojtje dy gra, u dhunuan nga bashkëshortët. Policia ka plotësuar dy ditë më parë kërkesë-padinë për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për 47-vjeçaren Shezie Malaj, banuese në Tiranë, pasi dhunohej nga bashkëshorti.
Në deklaratën e saj Malaj ka treguar në polici se bashkëshorti Fatmir Hysa, 52-vjeç, ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Ndërkohë që po dy ditë më parë, seksioni kundër dhunës në familje në policinë e kryeqytetit ka çuar për ndjekje penale në gjendje të lirë 33-vjeçarin Genci Idrizi.
Burime nga policia thanë se në bulevardin "Bajram Curri" pas një konflikti për motive të dobëta, me bashkëshorten e tij Mereme Idrizi, 28-vjeçe, e ka kanosur atë. Fillimisht është lajmëruar policia e komisariatit nr.2, e cila ka shoqëruar 33-vjeçarin dhe më pas ngjarja i ka kaluar për veprime të mëtejshme seksionit kundër dhunës në familje. Pasi është marrë në pyetje Idrizi është lënë i lirë ndërsa ndaj tij ka filluar ndjekja penale për veprën penale të "kanosjes".