E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitali i Durrësit, me godinë hotelerie



Brenda 6-mujorit të parë të vitit 2009, spitali i Durrësit, do të ketë edhe dy objekte krejtësisht të rinj, hotelerinë dhe reparte të diagnostikimit dhe rehabilitimit. Përfundimi i godinës së hotelerisë së spitalit, përfundimi i rikonstruksionit të maternitetit, instalimi dhe vendosja në punë e skanerit për disa sëmundje, si dhe krijimi i repartit të dializës janë disa prej projekteve që presin të realizohen. Hoteli i spitalit kirurgjik ka nisur të ndërtohet pikërisht në vjeshtën e vitit 2005. Ai ndodhet pas kirurgjisë dhe ka një kapacitet prej 100 shtretërish. Kjo do të thotë që po kaq të sëmurë do të mund të presin ditën për operim në këtë godinë. Për këtë objekt janë dhënë nga buxheti i shtetit 4 milionë dollarë. Ndërkohë që po këtë vit do të përfundojë edhe rikonstruksioni i maternitetit. Puna ka nisur 2 vjet të shkuar dhe shuma e investuar është 1.5 milion dollarë. Ndërkohë që brenda 6-mujorit të parë të vitit do të instalohet skaneri i parë për disa sëmundje. Ka kohë që banorët e Durrësit janë të detyruar të marrin rrugën për Tiranë për t’ju nënshtruar procesit të skanimit lidhur me disa sëmundje të brendshme. Vizitat realizohen në klinika private kundrejt shumave të kripura për xhepat e një pjese të madhe të tyre. Kjo ngjet pasi në spitalin e Durrësit nuk ofrohej një shërbim i tillë. Instalimi i skanerit të parë do të kursejë jo vetëm paratë, por edhe kohën e të sëmurëve nga Durrësi dhe rrethinat e tij. Stafi drejtues synon edhe vënien në punë të repartit të dializës, në bashkëpunim me specialistët e spitalit të Pizas në Itali. Ky spital 4 vjet të shkuara ka dhuruar për Durrësin dy aparate dialize, të cilat nuk janë vënë në punë për shkak të mungesës së disa aksesorëve. Ky problem tashmë mendohet i zgjidhur. Këtë shërbim e presin rreth 100 të sëmurë nga rrethi i Durrësit.

Artur Ajazi

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›