Dubai, festë me flamurin kosovar
DUBAI - Përvjetori i Parë i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës është festuar edhe nga komuniteti i shqiptarëve në Dubai. Për këtë, sipas informacionit të marrë ekskluzivisht për gazetën "Shekulli", aktiviteti i përvjetorit u festua rreth orës 20:30, sipas orës lokale të Shqipërisë. Darka u zhvillua tek "Carlton Towers Hotel" në Dubai tek një restorant ku u luajt muzikë shqiptare. Në të qenë të ftuar rreth 50 shqiptarë që banojnë në Dubai nga të gjitha trevat shqiptare:
Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni për të festuar vitin e parë të lindjes së shtetit kosovar. Kodi i veshjes në këtë mbrëmje-darkë ishte i bazuar në ngjyrat blu, bardhë dhe të verdhë duke përfaqesuar ngjyrat e flamurit të Kosovës. Zbukurimet e ambientit në të gjitha hapësirat e lokalit ku zhvillohej ceremonia festive ishin të zbukuruara gjithashtu po me këto ngjyra, ndërsa edhe torta tradicionale kishte po këto ngjyra pasi qe porositur sipas emblemës së flamurit të shtetit më të ri evropian. Para fillimit të darkës, në intervistën e saj për këtë rast presidentja e shoqatës shqiptare në Lindjen e Mesme, Ritjana Çeveli, theksoi se "kjo është një darkë sociale për të mbledhur komunitetin e vogël, por edhe shumë aktiv të shqiptarëve në Lindjen e Mesme dhe kryesisht këtu në Dubai". Kjo shoqatë ka si objekt të saj tërheqje të investitorëve të fuqishëm drejt Kosovës, si dhe kërkon që të lobojë nëpërmjet lidhjeve të biznesmenëve të fuqishëm ndaj qeverive të vendeve të rajonit të Lindjes së Mesme për të ndikuar në njohjet e reja të shtetit të ri të Kosovës. Shoqata kryesohet nga Ritjana Çeveli me origjinë nga qyteti i Durrësit.