Strakosha në Fier: Po qëllojmë në shenjë me seleksionimet
Trajneri i përfaqësueses U-19 të Shqipërisë është i bindur se do të ndërtojmë një skuadër konkurrente për eliminatoret e europianit
Trajneri i përfaqësueses shqiptare U-19, Foto Strakosha, ka pasur Zonën 5 si stacion të seleksionimit të futbollistëve, të cilët do ti shërbejnë ekipit të kësaj moshe për eliminatoret e Europianit 2012-1013. Ish-portieri i kombëtares sonë ka qëndruar në Fier për disa ditë, ku ka vëzhguar shumë lojtarë të ardhur nga Apolonia, Flamurtari, Lushnja, Tomori, Bylis etj.
Gjatë këtij inspektimi, Strakosha ka mbajtur shënimet e veta dhe tashmë ka ide më të qarta për futbollistët që do të ketë në vëmendjen e tij, për të qenë pjesë e mundshme e përfaqësueses që ai drejton. Puna e nisur nga Strakosha është për tu përshëndetur. Faza e para e seleksionimeve u zhvillua në fund të dhjetorit në Kamzë, ndërsa ndalesa e radhës ka qenë Fieri.
Legjenda e portës së Shqipërisë nuk ka dashur të deklarojë ndonjë emër, duke u shprehur se publikimi i tyre do të bëhet në një fazë të mëvonshme, por ka vlerësuar seriozitetin e trajnerëve të këtyre të rinjve si dhe paraqitjet që vetë lojtarët kanë bërë gjatë këtyre ditëve të seleksionimit. Jemi të bindur se ka shumë futbollistë cilësorë në qytete të ndryshme të vendit, ndaj jemi në vazhdën e këtij seleksionimi.
Qëllimi ynë është të evidentojmë dhe përzgjedhim më të mirët. Puna jonë do të vazhdojë dhe në të ardhmen për të ndërtuar një ekip konkurrues dhe të fortë për eliminatoret e kampionatit europian që, për këtë moshë, do të zhvillohen në Tiranë. Nuk përfundojmë këtu, por do të vazhdojmë edhe në zona të tjera, ku ashtu si dhe në Fier, do të mblidhen lojtarë të kësaj moshe nga qytete të ndryshme të vendit. Mendoj se është një punë serioze dhe kemi besim të plotë se do të qëllojmë në shenjë, – është shprehur trajneri i Shqipërisë U-19, Foto Strakosha.
Të rinjtë e Apolonisë
Ka qenë i konsiderueshëm numri i futbollistëve të skuadrës fierake të vëzhguar nga trajneri Foto Strakosha. Një pjesë e mirë e bardhejeshilëve U-19, në fazën e parë të superligës ka pasur fatin që të grumbullohej, madje edhe të luante me skuadrën e parë të Apolonisë dhe kjo i ka bërë më të guximshëm këta lojtarë edhe gjatë seleksionimit të kryer këto ditë.
Bruno Babaj, Erion Papingu, Eugen Bualli, Xhemail Bako, Marjus Shkëmbi dhe Ledjon Shkalla janë emrat e 6 të rinjve fierakë, që janë vëzhguar nga trajneri Strakosha gjatë ditëve të seleksionimit në Fier, ku janë përpjekur të shpalosin më të mirën e tyre. Të rinjtë e sipërpërmendur stërviten nën urdhrat e trajnerit Piro Mali. Disa prej tyre, si Babaj, Papingu e Bualli tashmë kanë provuar peshën e rëndë të fanellës së skuadrës së parë.
Arden Dallku në gjurmët e të vëllait, Armendit
Skuadrës së Vorskla Polltavës i është shtuar një shqiptar tjetër me mbiemrin Dallku. Bëhet fjalë për Ardenin, vëllain e vogël të Armend Dallkut, mbrojtësit të kombëtares shqiptare. Ardeni është 17 vjeç dhe është vënë menjëherë nën urdhrat e trajnerit Nikolaj Pavlov. Besoj në potencialin e madh të Ardenit. Natyrisht, duke ndjekur hapat e babait, vëllai im ka menduar të mos e harrojë traditën familjare.
Është e vërtetë që prindërit e mi nuk dëshironin që Ardeni të vinte në Ukrainë, por ai më ka mua dhe besoj që gjithçka do të shkojë mirë, – theksoi përfaqësuesi shqiptar për mediat ukrainase. – Së paku e kam nën kontroll në shtëpi. Dëshiroj ti falënderoj trajnerët e Vorsklës që e kanë pranuar të stërvitet me skuadrën.
Shpresojmë që kur ta arrijë moshën e duhur, të mund të aktivizohet me Vorsklën. Deri para pak kohësh, Dallku më i ri ka luajtur në Kosovë si qendërmbrojtës. Armendi po mundohet që tia mësojë gjuhën vendase Ardenit, sepse, duke mos e njohur gjuhën në Ukrainë, mundësitë për të luajtur në Vorskla janë thuajse zero.
