Damo: Pas dy ditësh marrim fondet
28/11/2004 Pas shumë debatesh, qeveria hap dritën jeshile për buxhetin e Bashkisë së Korçës, të bllokuar që prej një viti. Kryetari i kësaj Bashkie, Robert Damo, në një prononcim për gazetën "Metropol" thotë se zhbllokimi i Buxhetit tashmë mbetet vetëm punë ditësh, pas miratimit të dhënë nga Ministria e Financave, dhe ajo e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit për këtë qëllim. "Ne kemi kërkuar nga ministria zhbllokimin e buxhetit. Deri në këto momente, që po flasim bashkë, buxheti vazhdon të mbetet i bllokuar, dhe shpresojmë pas një apo dy ditësh, mund të kenë kaluar fondet e para për investimet për vitin 2005", tha Damo. Buxheti i Bashkisë së Korçës e ka shndërruar Robert Damon, të zgjedhurin e opozitës, si një ndër kryebashkiakët më të sulmuar nga ana e maxhorancës, por dhe prej një pjese të opozitës. Kryebashkiaku bllokimin e buxhetit e konsideron si sulm politik të maxhorancës, pas humbjes së socialistëve në zgjedhjet lokale të vitit 2003, pa e ngatërruar këtë çështje me sulmet personale të përfolura mes tij dhe ministrit të Pushtetit Lokal, Ben Blushi. "Unë nuk them se kam konflikte me ministrin, ne na kanë bllokuar buxhetin, dhe them se një nga aktorët kryesorë të këtij bllokimi është ministri. Me sa duket, e majta, nuk arriti të përmbushë synimet e saj në qytetin e Korçës dhe në këtë prizëm duhet të sulmohet kryetari i bashkisë për të rregulluar ose për t'u shtirur se po rregullohet diçka nga imazhi i humbur i PS-së. Dhe, për këtë duhet të sulmohen të gjithë përfaqësuesit e PD-së, në format nga më të paprinciptat, për të mbuluar të gjitha ato çka kanë bërë gjatë këtyre viteve", tha Damo. Shkak për bllokimin e buxhetit në bashkinë e këtij qyteti, u bënë rreth 300 milionë lekë borxhe të mbartura që Bashkia e Korçës i ka buxhetit të shtetit. Pas ardhjes në krye të bashkisë, Damo nuk pranoi ta njihte borxhin e paraardhësit të tij, Gjergji Duro, veprim që solli bllokimin e buxhetit. Kandidatura e Damos solli jo pak debate edhe mes krerëve të PD-së Korçë, ku një pjesë e tyre hodhën në tryezën e kandidaturave edhe emrin e Niko Peleshit, ish-kryetar i Dhomës së Tregtisë Korçë, ndërsa sot prefekti i ri i këtij qyteti.