E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ në dhjetor paraqesim ndarjen zonale

28/11/2004  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të dorëzojë në Kuvend raportin për ndarjen e re elektorale vetëm në javën e parë të muajit dhjetor. Zëdhënësi i KQZ-së, Erton Sinani, tha dje se mbledhja për këtë çështje do të zhvillohet më 1 dhjetor dhe pas kësaj gjithçka do t'i kalojë Kuvendit të Shqipërisë. Sinani ka hedhur poshtë të gjitha deklaratat se raporti është bllokuar qëllimisht. Në këtë kontekst ka reaguar dhe Partia Socialiste. Elmaz Sherifi, tha dje se PS nuk ka asnjë interes të bllokojë këtë raport, pasi në komisionin e posaçëm janë dhënë të gjitha mendimet dhe sugjerimet për këtë çështje. Ndaj, Sherifi tha se çështja tashmë i mbetet KQZ-së. Në lidhje me këtë raport, Partia Demokratike ka ngritur shqetësimin se socialistët dhe KQZ-ja po e vonojnë qëllimisht paraqitjen e draftit në Kuvend, për të sjellë dhe bllokimin e reformës për ndarjen zonale. Sipas ndryshimit të ndarjeve zonale, dy deputetë do t'i hiqen Beratit dhe një Vlorës. Ndërsa do të shtohet një deputet në Korçë, një në Dibër dhe një në Kukës. Bllokimi i reformës vjen dhe nga fakti se ligji nuk lejon ndryshime, në zonat elektorale kur parashikohet zhvillimi i zgjedhjeve brenda gjashtë muajsh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›