PBK: 29 nëndori dita pushtimit komunist
27/11/2004 Afrimi i festave të Nëndorit ndez dhe një herë debatin mbi datën e çlirimit. Partia e Ballit Kombëtar, vazhdon të këmbëngulë se 29 nëndori është datë që përjetëson ardhjen në pushtet të komunistëve në vitin 1944. Kryetari i PBK-së, Adriatik Alimadhi, ka thënë dje se partia që ai përfaqëson nuk e njeh 29 nëndorin si datën e çlirimit. "Data 29 nëntor nuk është data e çlirimit të vendit nga pushtuesit por data e pushtimit të vendit nga komunistët, dhe si e tillë nuk e meriton t'i kushtohet vëmendje historike", tha Alimadhi. Sipas ballistëve edhe hapja e muzeut të luftës bëhet në funksion të falsifikimit të historisë nga ish- komunistët të cilët janë sot në pushtet. Si pasojë ata deklarojnë se nuk do të dërgojnë asnjë dokument në sallonin e luftës të hapur në muzeun kombëtar. "Nuk do të dërgojmë asnjë dokument në pavionin e luftës. Komunistët po çojnë dokumenta që po shtrembërojnë historinë e luftës, dhe ne nuk mund të bëhemi palë e këtij fallsiteti", tha Alimadhi. Ai ka theksuar se drejtori i Muzeut nuk ka pranuar të paraqesë në pavionin e historisë së viteve 1939-1944, dokumentet që ka balli. Ndaj dhe PBK nuk do të angazhohet më në këtë çështje.