E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano premtime veteranëve para zgjedhjeve

28/11/2004  Kryeministri Fatos Nano u ka premtuar veteranëve të luftës antifashiste nacionalçlirimtare zgjidhje të problemeve jetike që shqetësojnë këtë shtresë. Në takimin e zhvilluar me rastin e 60-vjetorit të çlirimit të kryeqytetit, Nano tha se "midis jush ka ende shokë dhe familje që jetojnë me probleme jetike të pazgjidhura, edhe pse kemi hyrë në një mijëvjecar tjetër". Gjithashtu, Kryeministri u ka garantuar veteranëve se politika e tij do të ketë një përkujdesje më të madhe ndaj tyre. "Do kryej investimin politik dhe shtetërorë për t’ju kthyer juve në vend gjithë dinjitetin shpirtëror dhe material që meritoni", premtoi Nano. Në këtë takim, Kryeministri shpërndau për veteranët, medalje dhe dekorata për merita të larta në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Nano, duke vlerësuar heroizmin e këtij brezi, theksoi se "përvoja dhe heroizmi në Luftën e Dytë Botërore janë të gjalla dhe të dobishme edhe sot në luftën globale kundër terrorizmit, në të cilën Shqipëria është përfshirë dhe jep kontribute të drejtpërdrejta". Nano i ka cilësuar si pasardhës të denjë të veteranëve ushtarët që ngrejnë flamurin shqiptar në mbroje të paqes në Irak, Bosnje dhe Afganistan. Nano është shprehur se zgjidhja e problemeve të brezit më të nderuar të kombit tonë nuk janë një premtim elektoral që të marë votat e veteranëve në zgjedhjet e qershorit, por "është një detyrim historik që ne kemi si komb dhe si shtet për të mbajtur gjithnjë të gjallë dhe për të shpërblyer denjësisht veprën tuaj të papërsëritshme".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›