E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, sekuestrohen 124 kg marijuanë

Policia: Droga u gjet e braktisur në 5 çanta, mes shkurreve në vendin e quajtur "Kthesa e Koshovicës"
Pas bllokimit të drogës, policia shoqëroi në komisariat tre persona, por u lanë më pas të lirë: Po hetohet për pronarët
GJIROKASTËR- Policia e Gjirokastrës ka mundur të kapë e sekuestrojë një tjetër sasi të konsiderueshme lëndë narkotike brenda harkut kohor të 20 ditëve. Një sasi prej 124.5 kilogramë marijuanë është gjetur e braktisur, mbrëmjen e vonë të së martës, ndërsa vazhdojnë të jenë të lirë poseduesit e saj. Policia shoqëroi fill pas sekuestrimit të drogës tre persona, por pas verifikimeve paraprake ata u lanë të lirë.Droga
Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut kanë bërë të ditur se sasia e lëndës narkotike është gjetur pas informacioneve të marra në rrugë operative. "Sektori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, në bazë të një informacioni të marrë në rrugë operative se në drejtim të fshatit Koshovicë të komunës Dropull i Sipërm po transportohej lëndë narkotike, menjëherë ka oganizuar punën në bashkëpunim edhe me policinë kufitare të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit",- është shprehur zëdhënësi i policisë Gentain Mullai. Po sipas të njëjtave informacione, mësohet se droga është gjetur e braktisur e mbështjellë me letër natriban ngjyrë kafe. Sipas Mullait, gjatë krehjes së zonës ku ishte informacioni, u arrit që në vendin e quajtur "Kthesa e Koshovicës", midis fshatit Llongo dhe Koshovicë, disa metra poshtë rrugës automobilistike, në mes të shkurreve të evidentoheshin 5 çanta shpine me ngjyrë të zezë, brenda të cilave kishte lende narkotike e llojit marijuanë. "Lënda narkotike ishte e presuar dhe e mbështjellë me natriban ngjyrë kafe dhe pas peshimit rezultoi se pesha e saj e përgjithshme ishte 124,5 kilogramë",- ka sqaruar më tej ai.
Policia
Pas sekuestrimit të lëndës narkotike, në ambientet e policisë janë shoqëruar tre persona si të dyshuar, por që pas kryerjes së verifikimeve janë lënë të lirë. "Gjatë kësaj kohe në aksin rrugor Vrisera- Koshovicë u bë shoqërimi i një automjeti, që po lëvizte në këtë aks rrugor, brenda të cilit ishin tre persona të dyshuar si posedues të kësaj lënde narkotike, por për arsye hetimi nuk bëhet i ditur indentiteti i tyre",- theksojnë burimet policore, që po merren me hetimin e rastit në fjalë. Nga ana e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me Prokurorinë po punohet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Ndërkaq, dhe me personat e shoqëruar po punohet për të vërtetuar implikimin e tyre ose jo në këtë ngjarje. Kjo është hera e dytë brenda 20 ditësh që policia e Gjirokastrës kap një sasi të madhe marijuane, pas dy tonë e 40 kilogramësh të kapur më 25 nëntor në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës. Përgjatë këtij viti janë sekuestruar 2545 klogramë e 657 gramë lëndë narkotike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›