Danaj: Duhet të respektojmë Atdheun si eurodheun
18/12/2004 Aleanca për Mirëqenie dhe Solidaritet ka formuar seksionet e Federatës Studentore në Fakultetet e Ekonomisë dhe të Mjekësisë. Në takim mori pjesë kryetari i AMS-së, Koço Danaj, i cili tha se nuk ka solidaritet më të madh sesa respekti i vlerave dhe ndjenjave të të gjithë brezave. Sipas AMS-së, thelbi i mirëqenies shpirtërore është që pa qenë nacionalist të jesh shqiptar, të respektosh atdheun, ashtu siç ëndërron "euroatdheun". "Të jesh proshqiptar, do të thotë të mos jesh racist, shovinist apo përbuzës, por solidar me të tjerët. Dhe ne jemi të tillë", tha Danaj. Për të, të jesh proshqiptar evropian do të thotë të pranosh qarkullimin e lirë të ideve me përjashtim të atyre që fyejnë thelbin e qenies kombëtare dhe vlerat e komunitetit ku jetojmë. "Të jesh proshqiptar, do të thotë të pranosh qarkullimin e lirë të njerëzve, por jo të trafikantëve dhe kontrabandistëve", theksoi Danaj. Për të, integrimi nuk i fshin vlerat, por i fisnikëron ato, u heq mbulesën ideologjike, folklorike kur e kanë dhe i sjell si gurë smeraldi, për ta ngjitur së bashku me thesarin e vendeve të tjera evropiane. Për të, thelbi i pengmbajtjes së Shqipërisë në rrugën e integrimit janë reminishencat e luftës së ftohtë të një apo disa shteteve. "Thelbi i pengmbajtjes së Shqipërisë janë akuzat bajate dhe dalëboje mbi Shqipërinë e Madhe apo gjendjen e luftës me Shqipërinë", tha Danaj, i cili është shprehur se është Greqia, që mban në fuqi një ligj lufte, ndërsa është anëtare e BE-së.