Duhet më shumë vëmendje për Ballkanin
18/12/2004 "Bashkimi Evropian duhet t'i kushtojë më shumë vëmendje Ballkanit, duke mos lejuar që debati mbi pranimin e Turqisë në BE të dominohet në gjithë axhendën politike të Evropës", kështu ka paralajmëruar koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, Gerhadr Busek. Ai e ka bërë këtë deklaratë në një fjalim në institutin mbretëror për marrëdhënie më jashtë në Londër. Ai tha se, "nëse BE nuk i kushton vëmendjen e duhur Ballkanit, rajoni do të kthehet në një burim të pashtershëm të emigracionit të paligjshëm, prostitucionit dhe krimit të organizuar". Sipas Busek, "skepticizmi në rritje në Evropë dhe përpjekjet e vazhdueshme për zgjerimin e bashkësisë evropiane e kanë shtyrë Ballkanin në fund të listës së prioriteteve. Asnjë vend në Evropë nuk e ka të qartë vizionin mbi vendet e Ballkanit". Gjithashtu, koordinatori Busek, ka folur dhe për politikën që periferia e BE-së po ndjek kohët e fundit. Sipas tij, "politikanët po vendosin gjithmonë kushte dhe bëjnë shpesh paralajmërime. Qeveria e Serbisë thotë se zgjidhja e Kosovës do të arrihet kur provinca të jetë në BE. Turqia thotë se dhuna nga ekstremistët islamikë mund të rritet, në rast se BE nuk e pranon anëtarësimin e Turqisë. Për mendimin tim, BE-ja nuk ka qenë e detyruar kurrë të zmadhohet. Ky është një realitet i ri, një realitet për të cilën qytetarë dhe politikanët evropianë nuk janë gati". Një vëmëndje, sipas Busek, duhet t'i kushtohet çështjes së statutit përfundimtar të Kosovës. Sipas tij, "në këtë moment vetëm komuniteti ndërkombëtar mund të ulë Serbinë dhe Kosovën në tryezën e bisedimeve. BE duhet të ketë një politikë të qëndrueshme dhe të sigurojë se brenda grupit të kontaktit, Rusia duhet të mendojë si pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare. Çfarëdoqoftë zgjidhja për Kosovën, ajo do të ketë pasoja serioze në pjesën tjetër të rajonit", tha Busek.