E Diel, 1 Nëntor 2026

Edhe Gjata e Prenga pro Dushkut

18/12/2004  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hedhur poshtë kërkesën e Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për pavlefshmëri të zgjedhjeve në komunën e Dushkut. Argumenti i 6 anëtarëve të KQZ-së ishte fakti se në provat e paraqitura nuk faktohej blerja e votave. Por edhe pse kërkesa e PD dhe LSI është hedhur poshtë, KQZ ka vendosur të zhvillojë një tjetër mbledhje, për të penalizuar me gjobë dhe shkarkim nga detyra kryetarin dhe zëvendëskryetarin e KZQV-së. Shkak për këtë është bërë fakti se në procesverbalet e komisionit nuk janë paraqitur vërejtjet e partive politike, apo konstatimeve që më pas janë bërë fakt në një deklaratë të OSBE-së.

Kërkesa

Përfaqësuesit e PD-së dhe LSI-së kanë pretenduar para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se kryetari i Komunës Dushk ka përdorur fondet publike, për të favorizuar votimet. Këtë fakt, ata e kanë mbështetur në një kasetë filmike, ku vërtetohej se Gjendjet Civile dhe një fotograf kanë punuar pa pagesë ditën e votimeve. Ndërsa fotografi deklaronte se është kryetari i Komunës, që i ka premtuar se do ta paguajë me fondet e komunës, sapo të konstituohet këshilli i ri. Duke parë këtë situatë, LSI dhe PD janë shprehur se zgjedhjet duhet të shpallen të pavlefshme, pasi është shkelur parimi i përgjithshëm për financim e njëanshëm të partive gjatë zhvillimit të zgjedhjeve. Ndaj dhe marrja në dispozicion të një fotografi, që punonte pranë Gjendjes Civile, është cilësuar një stimulim i njëanshëm. Ndërsa dhe deklarata e OSBE-së, ku theksohej se ambientet e përdorura për votimet si dhe votimi në grup, është cilësuar një fakt më shumë për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në Dushk.

Vendimi

Kundër kërkesës së PD-së, dje kanë qenë dhe të propozuarit e opozitës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kështu si Dod Prenga, Klement Zguri dhe Çlirim Gjata janë shprehur se faktet e paraqitura nuk vërtetojnë se administrata dhe fotografi janë përdorur në mënyrë të njëanshme. "Nëse do të vërtetohej se fotografitë dhe certifikatat janë dhënë për elektoratin e një partie të caktuar, atëherë do të kishim të drejtën e plotë për të miratuar pavlefshmërinë", tha dje Prenga. Megjithatë, ai ka propozuar që të gjobiten kryetari dhe nënkryetari i KZQV-së, pasi nuk kanë plotësuar si duhet procesverbalet. Doda kërkoi dhe gjobitjen e kryetarit të komunës, pasi nuk kishte kryer procedurën e rregullt të njoftimit të KQZ-së dhe të KZQV-së mbi masat e marra për gatishmërinë e Gjendjeve Civile.

Subashi

Për mua, pajisja me çertifikata dhe foto gjatë ditës së votimit të banorëve nuk përbën një problem dhe shkelje të ligjit, sepse ky veprim nuk përbën vetëm ndihmë për një krah të vetëm politik. Pra, nuk kemi të bëjmë me shkelje. Pretendimet e nënkryetarit nuk mund të merren si provë, pasi mbeten vetëm deklarata dhe jo fakte. Në këtë kuadër, unë nuk konstatoj shkelje të ligjit zgjedhor.

Prenga

Për mua, në këto zgjedhje ka patur më tepër probleme të karakterit administrativ. Prandaj kërkoj të merren masa ndaj kryetarit dhe nënkryetarit të KZQV-së me shkarkim të tyre, për shkak se nuk kanë mbajtur në evidencë atë që ka ndodhur në realitet. Ndërkohë që duhet të merren masa edhe për kryetarin e komunës, duke i dhënë atij gjobë për shkelje administrative.

Gjata

Janë përdorur fonde nga pushteti lokal, në një kohë kur kjo është e papranueshme, sepse për përdorimin e tyre duhet të marrë vendim vetëm Këshilli i Komunës dhe përderisa këshill nuk ka, përdorimi i këtyre fondeve përbën shkelje. Blerja e zgjedhjeve është po aq e rrezikshme sa e dhe manipulimi, prandaj këto zgjedhje duhet të na shërbejnë si një parapritë për zgjedhjet e ardhshme.

Celibashi

KQZ ndodhet përball kërkesës së një subjekti politik, i cili pretendon se ka shkelje të ligjit për zgjedhjet. Në bazë të nenit 117, të ligjit për zgjedhjet, shkelje konsiderohet në ato raste kur veprimi i ndërmarrë ndikon në ndarjen e mandatit. Nga të gjitha provat, që ne administruam, nuk doli e provuar që kryetari i komunës ka dhënë fonde për qëllime të caktuara nga fondet e komunës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›