E Hënë, 2 Nëntor 2026

Emigrantët shqiptarë anullojnë biletat për në Shqipëri

18/12/2004  Bie fluksi i të kthyerve në Kapshticë

KAPSHTICË – Agjencitë turistike greke, megjithëse kishin rezervuar biletat, janë detyruar të nisin autobusët e tyre drejt Shqipërisë me vetëm 10 udhëtarë. Rënia e fluksit të emigrantëve që kthehen nga Greqia, ishte e dukshme dje në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Ata pak të kthyer tregonin për gjendjen e frikës që mbizotëronte në Greqi, si dhe mundësia e “nxjerrjes së inatit” në kufi, gjatë kthimit të tyre në shtetin helen.

Problemet në kthim, rikthehen në Kapshticë

Që pas rrëmbimit të autobusit grek, tri ditë më parë nga dy shqiptarë, ka rënë dukshëm fluksi i kthimit të emigrantëve shqiptarë për në vendlindje.

Rënia e fluksit është pasuar edhe me kthime të dhunshme të emigrantëve shqiptarë nga Greqia. Vetëm gjatë ditës së djeshme, sipas burimeve të postës së Policisë së Pikës së Kalimit Kufitar të Kapshticës, mësohet se janë kthyer dhunshëm nga policia greke 45 emigrantë shqiptarë.

Kthimet e dhunshme janë shoqëruar edhe me vonesa të pajustifikueshme në kryerjen e procedurave, për ata të paktë emigrantë që nuk kanë ndërruar vendimin për të festuar fundvitin në vendlindje.

Gjatë kthimeve të djeshme në Kapshticë, emigrantët nuk i fshihnin pakënaqësitë e tyre për vonesat e pajustifikueshme të policisë kufitare greke. Sipas tyre, vonesat janë më të dukshme kur udhëtohet me autobus. Sportelet greke, sipas tyre, për orë të tëra qëndrojnë të mbyllur dhe në këto kushte emigrantët janë të detyruar të presin pa asnjë lloj shkaku e motivi në ambientet e doganës greke për disa orë.

Një prej emigrantëve, Rustem Xhelili, nga Elbasani, tregon se, “së bashku me bashkëshorten dhe vajzën 3 vjeçe kemi qenë të detyruar të presim në pjesën greke të doganës së Kapshticës mbi tre orë në një autobus, të cilit nuk i punonin as kondicionerët. Megjithëse shoferi shqiptar iu lut disa herë kufitarëve grekë për të kryer formalitetet doganore, ai mori vetëm kërcënime”.

Agjencitë turistike greke, autobusë me 10 udhëtarë

Frika e emigrantëve shqiptarë për t’u kthyer për festat e fundvitit në Shqipëri, duket se ka rënduar edhe agjencitë turistike greke. Sipas pohimeve të atyre pak emigrantëve të kthyer, mësohet se shumë agjenci turistike, megjithëse i kishin rezervuar biletat, janë detyruar të dërgojnë autobusët e tyre me dhjetë udhëtarë, drejt Shqipërisë.

Gjendaj e qetësisë së krijuar në Kapshticë, duket se ka lënë “pa punë” edhe kufitarët në dy anët e kufirit, të cilët nuk e fshehin habinë. Ndërsa ata ishin përgatitur për të përballuar një fluks disa herë më të madh, janë ndeshur me kthime, në kufijtë e ditëve të zakonshme.

Drejtues të postës së policisë së Kapshticës, pranojnë e pohojnë gjendjen, ndërsa e motivojnë atë me frikën në kthim të tyre.

Shifrat zyrtare të policisë në Kapshticë, bëjnë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë në tokën shqiptare vetëm 800 emigrantë. Të njëjta burime saktësojnë se ky numër është disa herë më i vogël se i dy ditëve më parë, kur megjithëse nuk kishte dalë ende urdhri i Ministrisë së Rendit të Greqisë, për emigrantët që nuk kanë mundur të rinovojnë lejet e qëndrimit për në shtetin helen, fluksi i tyre ishte i madh. Gjatë fundjavës së kaluar kanë hyrë nga kjo doganë mbi 14 mijë persona.

"Por gjithçka u ndërpre si me urdhër, u shpreh njëri prej uniformave blu të Kapshticës, duke shtuar se, edhe ata që janë kthyer, nuk kanë ngurruar të shprehin rezervat e tyre për ndonjë veprim hakmarrës të palës greke, ndërkohë që ata janë pranë familjeve të tyre".

Fletë kryepolici i Kapshticës

“Kam frikë për një hakmarrrje greke”

Frikën për një hakamrrje të palës greke ndaj emigrantëve shqiptarë, nuk e fsheh as komandanti i Postës së Policisë së Kapshticës, Vangjel Nençe. Në një intervistë për gazetën “Metropol”, kryepolici i Kapshticës i bënë një pasqyrë gjendjes së ditëve të fundit në këtë pikë të kalimit kufitar.

Sa është numri i të ardhurve në këtë kohë, duke pasur parasysh se për disa ditë vijnë edhe festat e fundvitit? Si paraqitet numri i të kthyerve, veçanërisht ditët e fundit?

Gjithsej gjatë këtij “sezoni” kthimesh, janë rreth 17 mijë emigrantë të kthyer. Por numri i të kthyerve, veçanërisht ditët e fundit, po bie. Ndërsa ditën e enjte kanë ardhur 1849 emigrantë, të premten ky numër ka zbritur në rreth 800.

Në lidhje me incidentin më të fundi të ndodhur në kryeqytetin helen Athinë, ku dy shtetas shqiptarë, nga Mallakastra, rrëmbyen një autobus, mendoni se policia dhe shteti grek do të ndërmarrin një fshesë apo një fushatë hakmarrjeje ndaj emigrantëve shqiptarë?

Sa herë që ka ndodhur diçka e keqe në Greqi, ku pjesëmarrës kanë qenë shtetasit shqiptarë, janë marrë masa të rrepta. Nuk mendoj se një popull duhet të përfaqësohet në mënyrën më të keqe nga dy persona, por, të them të drejtën, një kthim të vrullshëm të emigrantëve shqiptarë nga autoritetet dhe policia greke edhe kam frikë se mund të ndodhë, pasi kjo ka ndodhur edhe herë të tjera.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›